Ka një përpjekje tmerrësisht të sforcuar këto ditë, në formën e mobilizimt të ri nga aktorë dhe faktorë rreth Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të krijuar idenë e një konspiracioni të madh kundër tyre. Një “gjellë” e gatuar në Tiranë, nga mendje që ia kanë dalë të manipulojnë në bashkëpunim me Xhorxh Soros edhe SHBA edhe BE, duke i rreshtuar ato për herë të parë pas 30 vjetësh hapur e prerë pro mazhorancës dhe kundër opozitës politike në Tiranë.

Është fabula tipike që nis e shpërndahet e shpërndahet pa u ndalur nëpër mediat e propogandës opozitare dhe në rrjetet sociale, ndërkohë që e shoqërojnë edhe me leksionin e vjetër, se e gjitha kjo po sjell çdo ditë e më tepër instalimin e një regjimi që nuk mundet dot më përmes sistemit demokratik me votë por vetëm me anë të revolucionit në rrugë. Është e njëjta frymë që nisi të ngjizej pasi u mësua në fillim të 2019 se Sali Berisha nuk e kalonte dot oqeanin, e që çoi shpejt në “revolucionin e molotovëve”.

Shenjë e qartë se edhe tani pasi u fut në listën e zezë të SHBA dhe u shpall “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, shpëtimin nga frika e drejtësisë së re, e shohin tek “revolucioni i ri”. Por ndryshe nga hera e parë, kur të gjitha shigjetat shqiptare u nisën drejt zyrës së Kryeministrit Edi Rama, këtë radhë majat e tyre janë lyer edhe me helmin antiamerikan. Ndoshta për herë të parë në historinë e re që nga 1917 kur Fan Noli shkroi; “Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë”, tani shpëtimi nuk po kërkohet më nga SHBA, por nga brenda Shqipërisë.

Demokracia është një sistem i hapur për të gjitha idetë dhe rrymat ndaj deri këtu nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Herët ose vonë, kjo frymë e re dhe e panjohur deri dje antiamerikane, do vinte dhe në vendin më pro amerikan të globit. Ajo që pritet të shihet pas vendimit të SHBA kundër Sali Berishës dhe atij të Parlamentit e Gjykatës Kushtetuese ndaj Ilir Metës, është nëse kjo frymë antiamerikane pas propogandës, do përqafohet hapur e publikisht edhe nga opozita jonë politike! Lideri i saj Lulzim Basha, që tani është nën presion, për të zgjedhur të jetë ose me SHBA, ose me Sali Berishë në këtë histori.

Por deri më 13 qershor, kur pret të mari mandatin e Kryetarit të PD deri më 2025, Lulzim Basha po hesht. I vendosur nën presionin gjithmonë e në rritje të skifterëve, ai është munduar që të artikulojë tezat si ajo që do rikthejë opozitën në pushtet brenda një viti siç PD ia doli 30 vjet më parë, pas humbjes në zgjedhjet e 1991 kur triumfoi më 1992. Apo kur përbetohet se nuk do e njohi kurrë humbjen e tij në zgjedhjet e 25 prillit dhe se do luftojë deri në fund, për ta rrëzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij.

Këto deklarata të Lulzim Bashës janë thjeshtë politike dhe do të harrohen të hënën në mëngjes, sapo të fusi këtë të dielë në darkë, mandatin e kryetarit të PD në xhep. Ajo që i shqetëson demokratët e vërtetë, duke nisur nga sfidantët e tij brenda partisë në këtë garë, është sesa këllqe ka ai në të vërtetë, për tu ndarë nga e shkuara e për të marë në dorë flamurin e së ardhmes përmes riorganizimit dhe riformatimit që do i çojë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.

Nëse Lulzim Basha do vijojë të zvarritet si deri më sot, pa dëshmuar lidership origjinal dhe karizmën e një udhëheqësi të vërtetë, është e sigurtë se do e marin sërisht për hunde siç bënë më 2019 kur e detyruan të digjte mandatet e deputetëve dhe të bojkotonte zgjedhjet lokale. Kritikët e tij dhe zërat më racionalë e të arsyeshëm brenda opozitës, pikërisht këtu e shohin, edhe shkakun e vërtetë të humbjes së PD në këto zgjedhje. Çka do të thotë se “revolucioni i molotovëve”, ishte edhe dështim, edhe mallkim.

Ndaj të predikosh një “revolucion të ri” në emër të elitës së vjetër e të korruptuar të Shqipërisë, të ndëshkuar tashmë në mënyrë shëmbullore nga aleati ynë strategjik SHBA, është një aventurë e pashembullt që të çon drejt vetëvrasjes së sigurtë politike. Sepse që nga koha e Revolucionit francez e deri në këtë të radhës, që po gatuhet këto ditë në mënyrë virtuale në Shqipëri, ato nuk nisin artificialisht nga lart por vetëm realisht nga poshtë.

Revolucionet nuk i bëjnë elitat e kriminalizuara, por masat e pakënaqura, që ngrihen kundër tyre për ti larguar njëherë e përgjithmonë nga skena. Nuk i bëjnë skllavopronarët që kanë 30 vjet në majën e pushtetit politik të vendit, por “skllevërit” e tyre, që nuk kanë se çfarë të humbin tjetër përveçse “prangave”. Ndaj kush ëndërron ende se historia e 2019, mund të përsëritet këtë radhë ndryshe, nuk ka kuptuar asgjë nga mesazhi që shqiptarët i dhanë opozitës me votë më 25 prill.