Pas 20 vitesh në emigracion në Itali fermeri shqiptar kthehet dhe nis punën në tokat e familjes. Krahas kursimeve të mbledhura nga puna në emigracion ai po mbështetet edhe nga Skema Kombëtare që po zbatohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi publikoi sot historinë e fermerit, i cili na tregon se është rikthyer nga emigracioni prej disa vitesh dhe tani merret me bujqësi.
Punova fillimisht në transport mallrash, bëja punën e shoferit të kamionit. Ishte një punë e lodhshme të cilën e bëra për disa vite radhazi. Kishte të ardhura të mira po përsëri nuk mjaftonin dhe për këtë arsye kalova në bujqësi. Italia ka një bujqësi të zhvilluar, ishte një përvojë shumë e mirë. Mësuam shumë në fakt, teknikat të fundit në kultivimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore dhe se si të ishim më organizuar që të mos kishim problem me gjetjen e tregut për shitje, thotë ai.
Pas rreth 20 vitesh jashtë, vendos të kthehet dhe nis punën në tokat e familjes.
Investova në mekanikë bujqësore dhe fillova punën. Gjërat po ecnin mirë dhe më lindi nevoja që të kisha më tepër tokë që të rritesha në prodhim. E për këtë arsye mora në përdorim me qira, e tani kam rreth 15 ha që i kultivoj. Nuk ishte shumë e vështirë të gjeje toka me qira, sepse ka shumë që i kanë lënë djerrë dhe kanë lëvizur në emigracion. Të vjen keq patjetër, po në fund të fundit secili do të provojë fatin e vet, tregon fermeri.
Ai thekson se duke parë se si po shkojnë gjërat dhe meqenëse jemi një zonë e cila ka një prodhim shumë të mirë bujqësor, ka shumë kërkesë.
Së fundi u sistemua edhe puna e ujitjes nga ministria dhe duke na mbështetur akoma, jam i bindur që mund të rritet më shumë prodhimi tregon fermeri.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, parashikon një fond prej 804 milionë lekë, subvencione për fermerët.
Sipas të dhënave zyrtare mbi 2 900 fermerë janë kualifikuar deri tani përfitues për njërën nga 9 masat që mbështet Skema Kombëtare e këtij, ndërsa AZHBR njofton herë pas here për uljen e vijës në listën e përfituesve për secilën masë që do të thotë rritje e numrit të fermerëve përfitues të këtyre fondeve.