Roger Federer tërhiqet nga Roland Garros. Legjenda zvicerane e tenisit mori vendimin e dhimbshëm përpara duelit të raundit të katërt ndaj italianit Matteo Berrettini. Shkaku? Problemet fizike.
Berrettini siguron pa luajtur kalimin në raundin tjetër, aty ku do të përballet me fituesin e çiftit Djokovic-Musetti. 39-vjeçari helvet ka bërë zyrtar vendimin e tij me anë të një postimi në Twitter.
“Pas disa diskutimeve me stafin tim kam vendosur të tërhiqem nga Roland Garros. Pas dy operacioneve në gju dhe mbi një viti rikuperim, më duhet të dëgjoj trupin tim.
Dua të jem i sigurt, nuk dua të nxitohem për t’u rikuperuar plotësisht. Jam shumë i lumtur që luajta tre ndeshje, nuk ka ndjesi më të bukur se sa rikthimi në fushë. Shihemi së shpejti“, shkruan Federer.
Ditën e djeshme zhvilloi një ndeshje të bukur ndaj Dominik Koepfer. Federer fitoi (7-6, 6-7, 7-6, 7-5), por lodhja e tepërt ndikoi për keq. “E njoh mirë fizikun tim, nuk mund të shtyj më shumë“, u shpreh kampioni i madh në lidhje me tërheqjen.