Pas një pauze të gjatë, Rozana Radi pritet të kthehet fuqishëm në muzikë pasi siç thotë dhe vetë ka përfunduar këngën e re, e cila do të jetë ritmike. Artistja ka publikuar në Instastory një video ku shfaqet në studio bashkë me kompozitorin Gramoz Kozeli, në të cilën ka shkruar:

“Pas 10 vitesh vi me një këngë ritmike”. Në postimin e radhës, Radi iu ka lënë në dorë fansave që të vendosin se si do të titullohet kënga e saj më e re. “Zgjidheni ju titullin e kenges time te re! Serenata nga Tirana apo Serenata Metropolitana”, ka shkruar Rozana. Më herët ajo ka realizuar një bisedë virtuale me fansat, ku iu ka dhënë mundësinë që t’i bëjnë pyetjet që ata dëshirojnë. Ndër të tjera asaj iu drejtua pyetja se çfarë i mungon më së shumti, ajo iu përgjigj duke iu referuar ndarjes së parakohshme nga jeta të prindërve të saj.

“Do ta thosha por fatkeqësisht s’do e ndryshoja realitetin. Kam dhe unë pengjet e mia. Jeta më ka mësuar të jetoj me mungesa njerëzisht të dashur”. Para disa muajsh, Rozi foli gjerë e gjatë për raportet që ka pasur me prindërit e ndjerë, por si rrallëherë vendosi të rrëfehej për marrëdhënien me partnerin e saj, Shpëtim Karakushin. Në gusht të vitit 2018-të ata zyrtarizuan lidhjen disavjeçare me fejesë dhe jetojnë prej kohësh në një shtëpi të përbashkët. Rozana u shpreh se ajo mban më shumë inat mes atyre të dyve, por pendohet më shpejt pas një debati. Ajo tha se në situata të tilla herë largohet ajo nga shtëpia dhe herë Shpëtimi, por shumicën e rasteve janë jashtë ndaj nuk ja ndjejnë mungesën njëri-tjetrit.