Marash Kumbulla është shumë i lumtur që sezonin tjetër do të stërvitet nga njëri prej trajnerëve më të mirë në histori, Jose Mourinho. Qendërmbrojtësi i Kombëtares shqiptare thotë se Mourinho do ta shtyjë atë që të punojë edhe më shumë dhe të rritet si futbollist.
Kumbulla nuk luajti shumë në sezonin e parë, 14 ndeshje në Serie A dhe vetëm 21 në total – por beson se me Mourinhon mund të jetë një tjetër histori. “Ende s’mund ta besoj. Është si një ëndërr që do të kem trajner Mourinhon dhe do të jetë një tjetër arsye që të përmirësohem dhe të rritem edhe më shumë”, tha Kumbulla për GOAL.
“Nuk kam folur ende me të, por do të flas kur ai të arrijë në Romë dhe besoj se do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme”.
Mourinho ka fituar trofe kudo, me Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid dhe Manchester United – dhe Kumbulla beson se rekordet dhe suksesi që ka arritur, do ta transformojnë Romën.
“Mourinho do të sjell në Romë mentalitetin fitues”, shtoi ai për Goal. Të gjithë dinë se ai ka fituar diçka në çdo ekip që ka drejtuar. Do të mësoj shumë në aspekti taktik dhe teknik nga ai, por më e rëndësishme është mentaliteti fitues”.
“Në aspektin personal, dua të luaj sa më shumë, por më e rëndësishmja është objektivi i klubit, që nuk e arritëm këtë vit, por do të tentojmë vitin tjetër”. “Mourinho është zgjidhja më e mirë për të na ndihmuar sepse ai ka fituar në çdo ekip. Ai do të sjell ide, stil të ri të lojës gjë që do të ndihmojë skuadrën”.