Australia është prekur nga një valë e Covid, pas një shpërthimi në komunitet të variantit “delta”. Të dielën, qeveria njoftoi se një punonjës që punonte në azil kishte rezultuar pozitiv me COVID-19, pavarësisht se kishte marrë dozën e parë të vaksinës në 12 maj. Gjithashtu edhe një person tjetër ka rezultuar pozitiv pas marrjes së Pfizer. Fakti që të dy personat janë infektuar pas marrjes së dozës së parë do të thotë që nevojiten të dy dozat. Provat klinike tregojnë se mbrojtja nga vaksina është optimale dhe duhen rreth dy javë pas dozës së dytë që vaksina të japë efektin. Kjo do të thotë se vaksinat:

-mbrojnë kundër rasteve të rënda dhe vdekjes te personat e shëndetshëm

-ulin në mënyrë dramatike simptomat e COVID-19

-reduktojnë mundësinë e infektimit me virusin

-gjithashtu redukton mundësinë e transmetimit të virusit te personat e tjerë

Të dyja dozat sigurojnë më shumë mbrojtje nga Covid-19 por ekziston rreziku që përsëri të infektoheni ose të transmetoni virusin.

Sa efektive është një dozë e vetme e Pfizer? Provat klinike të vaksinës Pfizer u zhvilluan për të testuar efikasitetin e vaksinës më shumë se një javë pas dozës së dytë. Sidoqoftë, këto prova nxorën në pah se një dozë e vetme mund të ofronte mbrojtje 12 ditë pas vaksinimit.

Gjithashtu një dozë e vetme është shumë efektive kundër shtrimit në spital katër javë pas vaksinimit. Ndërkohë, studimet dhe raportet e mëparshme sugjerojnë që një dozë e parë e Pfizer mund të jetë 50% dhe 90% efektive në parandalimin e infeksionit.

Të dhënat paraprake gjithashtu sugjerojnë se njerëzit që infektohen me SARS-CoV-2 pas një doze të vaksinës Pfizer kanë deri në 50% më pak gjasa të transmetojnë virusin tek anëtarët e tjerë të familjes së tyre. Sa efektive është një dozë e vetme e AstraZeneca? Vaksina AstraZeneca fillimisht u zhvillua si një vaksinë me një dozë të vetme dhe ka një efektivitet deri në 76% kundër virusit. Të dhënat në botën reale, megjithëse ende nuk janë rishikuar nga kolegët, kanë treguar se një dozë është afërsisht 65% efektive në mbrojtjen nga infeksioni dhe deri në 50% efektive në parandalimin e njerëzve të vaksinuar nga transmetimi i virusit nëse infektohen.

Gjithashtu edhe një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneca mbron kundër shtrimit në spital katër 4 javë pas vaksinimit.

Cila është më efektive? Pavarësisht nga ndryshimet në vaksinat e ARN-së si Pfizer dhe vaksinat vektoriale virale si AstraZeneca, të dyja vaksinat kërkojnë kohë për të gjeneruar përgjigje të antitrupave. Pas një doze të vetme të AstraZeneca, antitrupat mund të zbulohen pas 14 ditësh dhe të shtohen më shumë gjatë dy javëve të ardhshme.

Por sa kohë i duhet trupi tonë të reagojë? Kur studiuesit studiojnë përgjigjen e antitrupave pas marrjes së dozës së parë të një vaksine anti-Covid, ata zbulojnë se duhen të paktën dhjetë ditë që sistemi imunitar të fillojë të prodhojë antitrupa që mund të njohin proteinën spike të SARS-CoV-2.

Duhet gjithashtu të paktën një javë që qelizat T, një lloj i qelizave të bardha të gjakut të rëndësishme në përgjigjen tonë imune, të fillojnë të reagojnë ndaj vaksinës. Gjatë javëve të ardhshme, këto përgjigje bëhen edhe më të forta.

Në të kundërt, doza e dytë aktivizon sistemin imunitar shumë më shpejt. Brenda një jave pas marrjes së dozës së dytë, nivelet e antitrupave rriten me më shumë se dhjetë herë, duke siguruar mbrojtje shumë më të fortë dhe më të qëndrueshme nga infeksioni. Doza e parë e një vaksine anti-COVID nxit sistemin tonë imunitar të prodhojë antitrupa, por doza e dytë është thelbësore për të siguruar që imuniteti është i forte dhe qëndrueshëm.

Vaksinimi i pjesshëm mund të jetë i rrezikshëm-Ndërsa një dozë e vetme e secilës vaksinë ofron disa përfitime, vaksinimi i pjesshëm për njerëzit që janë më të rrezikuar është problematik. Është gjithashtu e rëndësishme që punonjësit e kujdesit shëndetësor, dhe njerëzit që punojnë dhe jetojnë në azile të vaksinohen plotësisht sa më shpejt që të jetë e mundur.

Një sfidë tjetër është se të gjitha vaksinat aktuale anti-COVID bazohen në llojin origjinal të virusit, por variantet tani përbëjnë shumicën e infeksioneve në shumë vende. Disa variante nuk i përgjigjen vaksinave, veçanërisht pas vetëm një doze.

Të dhënat paraprake sugjerojnë se ndërsa dy doza të vaksinës Pfizer janë 88% efektive ndaj variantit B.1.617.2, një dozë e vetme është vetëm 33% efektive. Një variant i ngjashëm i quajtur B.1.617.1, është faktori kryesor pas shpërthimit aktual në Victoria dhe mund të ketë të njëjtin efekt. Gjithashtu vlen të përmendet fakti që përgjigjet imune ndaj një doze vetme të vaksinës Pfizer ose AstraZeneca reduktohen me moshën.

Në një analizë të përbashkët të Pfizer dhe AstraZeneca, të moshuarit kishin norma më të ulëta të mbrojtjes sesa të rinjtë pas një doze të vetme, megjithëse të moshuarit ishin po aq të mbrojtur sa të rinjtë pas dy dozave. Sipas këtij studimi, administrimi i dozës së dytë në kohën e duhur është veçanërisht i rëndësishëm për të moshuarit./ abcnews