Nga Çapajev Gjokutaj/
Një familje me 4 antarë: babë, nënë dhe dy bija,7 dhe 14 vjeç, u shua në autostradën Fier – Vlorë. Kishin ardhur nga Greqia ku prindrit punonin si emigrantë dhe, pasi kishin vizituar të afërmit në Patos, qenë nisur për pushime. Por fati e deshi që të bënin pushimin e përjetshëm. Aksident automobilistik, thoshte lajmi.
Në fakt nuk ishte aksident automobilistik, madje nuk qe as fati që solli fundin e tyre të dhimbshëm. Ishte një 22 vjeçar, me një Audi 100 mijë euroshe, që po e ngiste me 200 km në orë dhe erdhi e u përplas nga prapa me Nisanin e emigrantit.
Parë kështu kjo është vrasje e jo aksident. Madje nuk ishte rastësi që rioshi kishte tejkaluar gati dy herë limitin e shpejtësisë dhe grahte si të ishte në pistë aeroporti.
Policia thotë se nuk e kishte për herë të parë, ishte gjobitur dy herë për tejkalim shpejtësie dhe një herë tjetër për kalim të gabuar semafori.
Dhe s’di të thuash nëse këto shkelje i bënte nga që ishte i ri e me natyrë të papërmbajtur apo ngaqë komoditeti që i kishte krijuar i ati biznesmen, përfshi dhe Audin 100 mijësh, i kishin mbushur mendjen se ishte i veçantë, tejet e zoti dhe mbi të tjerët.
Po mbase shkeljet i bënte në harmoni me aforizmin ala shqiptar: sa më luksoze makina, aq më arrogant i zoti dhe aq më servil polici.
Problemi është se harxhet si rregull i paguan fukaraja dhe, kur zullumi trashet, paguan në përmasa tragjike. Të kamurit e ‘të fortët’ shumë shumë paguajnë nën dorë.