Kandidati për kreun e Partisë Demokratike Agron Shehaj ka denoncuar paraditen e së dielës se votimet në PD kanë nisur me një standart shumë të ulët demokratik. Në një postim në Facebook, Shehaj inkurajon të gjithë përfaqësuesit dhe mbështetësit e tij që të japin maksimumin për të mbrojtur votën e demokratëve.
Shehaj shprehet se në një pjesë të madhe të qendrave të votimit, vëzhguesit e tij janë duke u përjashtuar dhe po pengohen që të monitorojnë procesin.
“Në degët 5, 10 dhe 15 në Tiranë vëzhguesit e mi janë përjashtuar ose nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e votimit. Procesi i votimit në këto degë po komprometohet rëndë, sepse po zhvillohet pa praninë e vëzhguesve tanë dhe po administrohet nga përfaqësuesit e një kandidati.”
Gjithashtu, ai denoncon se vëzhguesit në terren kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të Partisë Demokratike të cilët janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve i PD-së. Kurse në Durrës, sipas Shehajt është shtuar një listë e re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë.
Agron Shehu bën të ditur se ekipi i tij është duke mbledhur fakte e të dhëna për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë.