Inspektoriati Kombëtar i Mbrotjes së Territorit dhe Policia e Shtetit vijojnë operacionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdet.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se krahas shembjeve po bëhet edhe pastrimi i zonave nga inertet. Ai paralajmëron gjithashtu se në vazhdim të këtij operacioni mjetet e IKMT do të nisin shembjen e objekteve edhe në zona të tjera veç Ksamilit dhe Velipojës.
“Operacioni “Bregdeti Ynë”- Krahas shembjes së ndërtimeve pa leje, IKMT po bën edhe pastrimin nga inertet që mbeten pas, për të mos krijuar asnjë pengesë për pushuesit apo bizneset e tjera të ligjshme në zonat bregdetare. S’ka kohë për pushim e as do të tërhiqemi nga vendosmëria për të çliruar bregdetin nga gjithfarë ndërtimesh e strukturash të ngritura pa leje. Mjetet e IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë në ditët në vazhdim operacionin edhe në zona të tjera bregdetare. Kemi një hartë të plotë ku janë evidentuar qartë të gjitha objektet. Shembja e tyre edhe çlirimi i hapësirave të zaptuara është vetëm çështje ditësh, thotë Çuçi.
Në javën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” u shembën në Ksamil e Velipojë 35 objekte të ngritura pa leje, me strukturë betoni dhe metalike. Qindra objekte të tjera pritet të shemben deri në fund të qershorit përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.