Anglia është skuadra e radhës që ka prerë biletën për në çerekfinale të Kampionatit Evropian. “Tre Luanët” e kanë eliminuar Gjermaninë në 1/8 e finales duke e mposhtur 2-0 në ndeshjen që u zhvillua në Londër, në “Wembley”.

Të dy golat erdhën në pjesën e dytë. Fillimisht, në minutën e 75-të, Raheem Sterling arriti që të realizojë për 1-0. Në të 81-të, Thomas Muller shpërdoroi një mundësi të artë për të shënuar për 1-1, dhe kjo i kushtoi pas Harry Kane doli në skenë duke shënuar në minutën e 86-të për 2-0, që doli të jetë goli i rezultatit

Pas takimit, ka folur Raheem Sterling . Për sulmuesin e Manchester City ishte goli i 15-të në 20 ndeshjet e fundit me kombëtaren e “Tre Luanëve”. “E dinim qe duhet të bënim një paraqitje të madhe kundër një skuadre të mirë si Gjermania. Mendoj se e bëmë diçka të tillë sot. E dinim gjithashtu se me çfarë intensiteti mund të luajmë dhe jo shumë ekipe mund ta përballojnë”, deklaroi ai. “Tre Luanët” në çerekfinale do të përballen me fituesin që do të dali nga ndeshja e sotme mes Suedisë dhe Ukrainës.