Më shumë se 50 sipërmarrës shqiptar dhe bjellorus ishin pjesë e forumit online “Perspektivat e bashkëpunimit dypalësh”, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Bjellorusisë. Këshilltari ekonomik i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkim Sykja u shpreh se gjithnjë e më shumë Shqipëria po vlerësohet nga Bjellorusia jo vetëm si një destinacion atraktiv turistik, por edhe si një mundësi konkrete bashkëpunimi në fushën e biznesit dhe investimeve”.
Sipas tij, hapja e zyrës së përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Bjellorusisë në Tiranë, është një tregues i qartë i interesit të sipërmarrjes Bjelloruse për Shqipërinë. Sykja u shpreh se “synojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet dy dhomave të tregtisë dhe industrisë, për të nxitur tregtinë, eksportet dhe investimet në sektorë prioritar të ekonomisë”. Duke ju qartësuar sipërmarrësve bjellorusë lehtësirat dhe mundësitë që afrohen për të bërë biznes në vendin tonë, ai bëri një ftesë të hapur për bashkëpunime konkrete mes sipërmarrësve të të dy vendeve
Nënkryetari i DHTI së Bjellorusisë, Meleshkin Denis, i cili ishte dhe moderator i eventit që në krye të herës bëri një ftesë të hapur për bashkëpunimin të bizneseve të të dy vendeve duke bërë gjithashtu dhe një prezantim të Dhomës së Bjellorusisë. Ai garantoi nga ana e tij se Dhoma do të jetë e vënë në shërbim të biznesit për të vendosur kontaktet e duhura apo për të asistuar në çdo ndihmë që sipërmarrja ka nevojë.
Përfaqësuesi i Dhomës së Bjellorusisë në Shqipëri, Aleksandër Gjurbavija u shpreh i gatshëm për të qenë prezent për të gjitha nevojat që ka biznesi dhe për të vendosur kontaktet e duhura mes palëve të interesuara. Në forum u bë prezantimi i mundësive që secili vend afron. Aris Tasho, Drejtore e Zyrës së Marrëdhënieve më Jashtë të DHTIT, bëri një prezantim të Dhomës dhe klimës së investimeve në Shqipëri.
Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së të dy vendeve janë në hapat e parë të bashkëpunimit, hap që u konkretizua më këtë forum të parë dhe që më pas do të vijojë me marrëveshje konkrete mes tyre.