Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në Hidrocentralin e Banjës ku ka filluar me sukses operimet tregtare njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues.

Projekti përfshin instalimin e paneleve diellore mbi rezervuarin e hidrocentralit, duke shfrytëzuar kështu edhe rrezet e diellit për të prodhuar energji.

Shumë shpejt do të nisë dhe faza e dytë ku do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese.

Ministrja vlerësoi se “kompania Statkraft ka shënuar një risi, për herë të parë në Europë madje edhe në botë, pasi në basenin e hidrocentralit janë ndërtuar panelet fotovoltaike lundruese, duke shfrytëzuar kështu edhe rrezet e diellit për të prodhuar energji”.

“Sot kam vizituar HEC-in e Banjës, hidrocentral i cili prodhon 72 megavat energji dhe operohet dhe është ndërtuar nga Statkraft, kompani e madhe energjetike norvegjeze. Projekti që kam vizituar sot është një projektet pionier, i pari në gjithë botën, projekti i paneleve lundruese të cilat prodhojnë energji diellore. Pra janë dy projekte të implementuara, prodhimi i energjisë nga uji dhe prodhimi i energjisë nga panelet diellore në të njëjtin vend”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se “ky është një projekt inovacion i përfunduar tashmë në Shqipëri që do të vazhdojë dhe me njësitë e tjera dhe padyshim do të kthehet në një shembull për të gjithë”.

Balluku tha se HEC-i i Banjës është një nga investimet më të rëndësishme private që kemi në vend bashkë me HEC-in e Moglicës.

“Në HEC-in e Banjës është ndërtuar edhe një njësi e paneleve të lundrueshme për të prodhuar energji nga panelet diellore. Këtu kemi një integrim shumë të mirë të diversifikimit të burimeve të energjisë së rinovueshme, ashtu si ne kemi strategjinë për të prodhuar sa më shumë energji të rinovueshme”, tha Balluku.

Balluku tha se “është e ditur se Shqipëria është kampion dhe këtu prodhohet vetëm energji e rinovueshme deri më sot, por për më tepër këtu kemi në të njëjtën hapësirë dy burime të ndryshme”.

“Kemi një diversifikim që ndodh në të njëjtën hapësirë. Kemi edhe prodhimin nga HEC-i i Banjës dhe kemi edhe impiantin e parë fotovoltaik të lundrueshëm. Është një arritje e jashtëzakonshme të kesh këtë diversifikim në të njëjtin vend dhe Shqipëria është avangard edhe në këtë”,u shpreh Balluku.