Fundi i tetorit 1991 shënon origjinën e një fenomeni të pazakontë që ndodhi në Shqipërinë postkomuniste, gjë që tërhoqi prej atëherë dhe deri sot 30 vjet më vonë, vëmendjen e gjithë turistëve të huaj që shkelin në Shqipëri.
Kthimi i vendstrehimeve dhe i bunkerëve në kafene, restorante, taverna, kënde lojrash etj, ishte vendosur me një akt zyrtar nënshkruar me 24 tetor 1991, nga kryetari i Këshillit të Ministrave(kryeminsitri) Ylli Bufi, me vendimin e qeverisë nr. 384.
Vendimi parashikonte gjithë hollësitë e mundshme të administrimit të kësaj “pasurie” të shqiptarëve, për të cilën regjimi i Enver Hoxhës kishte shpenzuar miliona dollarë në emër të një lufte hipotetike që mund të përfshinte vendin në vitet ’70-’80, shkruan tesheshi.com.
Ja çfarë shkruhet në këtë vendim:
Për të vënë në shfrytëzim të ekonomisë strehimet mbrojtëse të popullsisë dhe objektet tunelizuese të MCR-së, si dhe për mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen, me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Keshilli i Ministrave
Vendosi:
1.Strehimet mbrojtëse, të ndërtuara me shpenzimet e shtetit, lejohet ta përdoren me qira nga ndermarrjet, institucionet dhe nga personat e tjere juridikë e fizikë, vendas që ndodhen në afërsi të strehimit dhe brenda juridiksionit të lagjes.
2.Dhënia me qira e këtyre objekteve dhe të atyre tunelizuese të MCR-së të bëhet në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse për privatizimin.
3.Ndalohen përshtatjet e ndryshimet konstruktive në këto objekte si dhe magazinimi dhe futja në to e mallrave dhe e materialeve që paraqesin rrezikshmëri për jetën e njërëzve. Kurdoherë këto objekte janë mbrojtëse, prandaj heqja e pajisjeve dhe e mallrave që magazinohen në to të bëhet brenda 2-3 orëve nga koha e dhënies së gatishmërisë nga ana e organit përkatës.
4-Duke filluar nga viti 1992, të gjitha projektet e strehimeve dhe të objekteve tunelizuese të hartohen nga Instituti i Studimit dhe i Projektimit të Veprave Mbrojtëse i Ministrisë së Mbrojtjes, si objekte mbrojtese të popullsisë civile. Ato të projektohen në mënyrë që të kryejnë edhe funksionin e objektit ekonomik si lokale tregtie, restorante, taverna, kënde lojrash, tavapjekës, garazhde automjetesh etj. Këtij qëllimi t’i shërbejnë edhe objektet e tunelizuara për MCR-në.
5-Për administrimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e strahimeve mbrojtëse në qytete përgjigjen saksionet komunale dhe ndërmarrjet, institucionet ose personat që i kanë në përdorim, kurse për strehimet mbrojtëse që janë brenda territorit të ndërmarrjes, institucionit e banesave private, përgjigjen vetë ato. Për strehimet kolektive në fshat përgjigjet komiteti ekzekutiv i fshatit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.