Nëse mbani ndonjë kafshë shtëpiake, ardhja në jetë e një foshnje mund të ndryshojë jetën e saj dhe tuajën. Falë planifikimeve që keni bërë që më parë, mund të rrisni në maksimum sigurinë dhe të bëni të mundur që të gjithë, përfshirë këtu edhe kafshën, të jenë të kënaqur dhe të ndihen mirë me pjesëtarin e ri. Më poshtë, do të gjeni një sërë këshillash nga Shoqata Njerëzore e Shteteve të Bashkuara, për një bashkëveprim sa më të mirë mes pjesëtarëve të familjes (qofshin ata kafshë apo njerëz).

Përpara lindjes së foshnjës

-Mësojeni kafshën shtëpiake me situata të ngjashme me ato që do të keni pas lindjes.
-Përgatiteni atë që do të ketë më pak vëmendje. Nëse kaloni shumë kohë me të, mësojini gradualisht që të kalojë më pak kohë me ju. Në këtë mënyrë, nevojat e foshnjës nuk do të rëndojnë shumë mbi kafshën. – Ftojini miqtë që kanë fëmijë t’ju vizitojnë, që kafsha të mësohet me fëmijët, aromën dhe zhurmat e tyre. Mbikëqyrni me kujdes çdo bashkëveprim të kafshës dhe të fëmijës.

-Mësojeni kafshën me gjërat dhe sendet e foshnjës, por mos e lejoni të hipë mbi krevatin e saj, në tryezën ku e ndërroni, apo në çdo vend tjetër ku shtrihet foshnja. Nëse dhoma e fëmijës është larg nga kafsha, vendosni një derë rrjetë, që kafsha të shohë dhe të dëgjojë se çfarë po ndodh. – Provoni të mbani në dorë një kukull si të ishte një foshnjë, që kafsha të mësohet me aktivitetet rutinë të foshnjës. Teksa e nxirrni shëtitje atë, merreni edhe kukullën në një karrocë.

-Për çdo sjellje të kafshës dhe shqetësim që mund të keni për bashkëveprimin mes saj dhe foshnjës, konsultohuni me mjekun veteriner apo një specialist tjetër. Zgjidhja e këtyre problemeve përpara se foshnja të lindë, mund ta ndihmojë kafshën ta kalojë më lehtë këtë periudhë tranzicioni, gjë që jua lehtëson punën edhe juve.

Pas lindjes së foshnjës

-Dërgoni në shtëpi një veshje me aromën e fëmijës, në mënyrë që qeni ta nuhasë dhe të familjarizohet me të. -Kur të futeni në shtëpi, kërkojini dikujt tjetër ta mbajë foshnjën, që ju t’i keni duart të lira dhe të përshëndeteni me kafshën. – Lejojeni, por mos e detyroni, kafshën të ulet pranë jush dhe foshnjës. Shpërblejeni për sjellje të mirë, që të përforconi idenë se ardhja e foshnjës në shtëpi është diçka pozitive.

-Mbikëqyrni çdo ndërveprim mes foshnjës dhe qenit. -Përpiquni sa më shumë të mundeni të ruani rutinën, si për shembull, shëtitjet ditore. Marre nga libri “Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme”