Sot dhe nesër nga ora 8 e mëngjesit e deri në 8 të mbrëmjes do të vaksinohen qytetarët mbi 18 vjeç. Nismën që Ministria e Shëndetësisë shpalli të shtunën për vaksinimin e qytetarëve mbi 18 vjeç e kanë mirëpritur mbi 4 mijë qytetarë që deri paraditen e djeshme kanë aplikuar në e-Albania për t’u bërë pjesë e procesit. Ata do të kenë mundësi të marrin dozat e një prej vaksinave të përdorura në vendin tonë në vetëm 2 ditë të hapura, më 29 dhe 30 qershor.
Por në total gjatë periudhës së nisjes së vaksinimit, edhe pse nuk kanë qenë në fashat moshore, janë edhe rreth 19,200 qytetarë mbi 18 vjeç, që kishin aplikuar në e-Albania, dhe janë lajmëruar tashmë nga portali, se do të vaksinohen.
Vaksinimi i hapur për çdo qytetar mbi 18 vjec të martën dhe të mërkurë do nisë në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në 20:00 të mbrëmjes. 24,040 vaksina anti-COVID kanë mbërritur në Shqipëri, një ditë më parë, ndërkohë që në total deri më tani në vend kanë ardhur 1,103,690 doza.
“24,040 vaksina anticovid sapo kanë mbërritur në Shqipëri. Në Aeroportin “Nënë Tereza” mbërritën sot 14,040 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare si dhe mbështetjes së Bashkimit Europian, ndërsa në mbrëmje mbërritën në IShP edhe 10,000 doza të vaksinës AstraZeneca, mbështetje e Qeverisë së Kroacisë për vendin tonë. 1,103,690 doza vaksine anticovid kanë mbërritur deri tani , teksa nesër nisin dy ditët e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç”, tha Manastirliu një ditë më parë.