Leonardo Spinazzola ishte lojtari më i mirë i ndeshjes , që mbrëmë Italia e fitoi me shifrat 2-1 ndaj Austrisë pas shtesave, duke u kualifikuar në çerekfinalet e Kampionatit Europian.

Mbrojtësi i majtë i Romës ishte protagonist në të dy golat e shënuar nga Italia dhe rrezik konstant gjatë gjithë ndeshjes për Austrinë, përveç kontributit në mbrojtje.

“Jam shumë i lumtur që bëra një paraqitje të mirë, por jam i lumtur edhe për kualifikimin dhe faktin se luajtëm si ekip. Trajneri Mancini na tha të qëndrojmë të qetë dhe të tregohemi preciz ne pasimin e fundit. Mbetëm gjithë ndeshjen të përqendruar dhe u mbrojtëm të gjithë së bashku.

Jemi vërtet të lumtur. Gjithmonë kemi mbrojtur mirë, por kurrë siç kemi bërë sonte. Ishte shumë e vështirë të fitoje duele ajrore ndaj Austrisë, ata janë fizikisht shumë të fortë. Ne luajtëm si ekip dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Spinazzola.