Samiti i javës së ardhshme i NATO-s do të dërgojë një sinjal të fortë të unitetit transatlantik, deklaroi sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, pas takimit me presidentin e SHBA, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.
“Ky samit do të jetë një demonstrim i fortë i unitetit transatlantik të Europës dhe Amerikës së Veriut, sepse ne jemi më të fortë dhe më të sigurt së bashku në një botë më të paparashikueshme”, theksoi Stoltenberg.
Midis një varg sfidash dhe kërcënimesh të ndryshme për t’u përgatitur, Stoltenberg përmendi Rusinë, me agresionin e saj në rritje ndaj fqinjëve të saj dhe Kinën ndërsa investon në aftësi të reja ushtarake.
Biden pritet të marrë pjesë në takimin e 14 qershorit të udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s si pjesë e udhëtimit të tij të parë jashtë shtetit si president.
“Një NATO e fortë është e mirë për Europën, por është gjithashtu e mirë për SHBA, asnjë fuqi tjetër e madhe nuk ka aq miq dhe aleatë sa SHBA në NATO”, shtoi ai.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se gjatë takimit ”Biden shprehu angazhimin e tij të fortë për të punuar ngushtë me Aleatët për të mbështetur në shtatë dekadat e suksesit të NATO-s në ruajtjen e sigurisë transatlantike dhe vlerave demokratike”.
Të dy udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë e iniciativës NATO 2030 për të përshtatur Aleancën për të adresuar sfidat e konkurrencës strategjike dhe kërcënimeve transnacionale, përfshirë ndryshimin e klimës dhe sulmet kibernetike.