Kur në qershorin e vitit 2020, nisën të qarkullonin raportet e para mbi“Covidin e Gjatë”, mjekët që përpiqeshin të luftonin me këtë sëmundje misterioze, nisën të vërejnë një prirje të pazakontë. Ndërsa rastet akute me Covid-19 -sidomos ato të shtruara në spital- kishin tendencë të ishin kryesisht meshkuj mbi moshën 50 vjeç, të sëmurët me “Covidin e Gjatë”, ishin relativisht të rinj në moshë dhe kryesisht femra.
Raportet e hershme mbi dukurinë e “Covidit të Gjatë” në një spital të Parisit midis majit dhe korrikut 2020, sugjeronin se mosha mesatare ishte rreth 40 vjeç, dhe se numri i grave të prekura nga efektet afatgjata të Covid-19 ishte më i madh se ai i burrave, në një raport 4 me1.
Gjatë 12 muajve të fundit, një shpërshpjestim i ngjashëm gjinor është bërë i dukshëm në të gjithë botën. Dr.Sara Xholej, që drejton klinikën e kujdesit post-Covid të UCHealth, Kolorado, tha për “The Guardian” se rreth 60 për qind e pacientëve të saj kanë qenë gra.
Në Suedi, studiuesi i Institutit Karolinska dr Peter Brodin, dyshon se përqindja e përgjithshme e pacientëve femra me “Covidin e Gjatë” mund të jetë edhe më e lartë, potencialisht 70-80 për qind.
“Ky model është vërejtur edhe në sindroma të tjera post-infektive. Rreth 66 për qind e pacientëve tanë kanë qenë gra. Shumë prej tyre ishin në punë me kohë të plotë, kanë fëmijë të vegjël, dhe tani më shumë se një e katërta e tyre janë plotësisht të paafta për të punuar, pasi ndihen shumë keq fizikisht.Në aspektin ekonomik, kjo është një katastrofë për to”-thotë dr.Melisa Hajtman, që drejton klinikën e kujdesit post-Covid në Londrën Veriore.
Sipas saj, kjo nuk është një tendencë e re kur bëhet fjalë për sëmundjet infektive. Duket se gratë kanë deri në 4 herë më shumë gjasa të preken nga ME/CFS (encefalomielit mialgjik, ose sindroma e lodhjes kronike), një gjendje që në shumicën e rasteve besohet se e ka origjinën tek sëmundjet infektive.
Studimet kanë treguar gjithashtu se pacientët me sëmundjen kronike Lyme, kanë më shumë gjasa të jenë femra. Deri më tani ka pasur relativisht pak përpjekje për të shqyrtuar arsyen pse ndodh kjo. Në vend të kësaj, për shkak se këto gjendje prekin kryesisht gratë, ato janë cilësuar më shumë si të natyrës psikologjike.
Me kalimin e viteve, si ME/CFS ashtu edhe sëmundja kronike Lyme, janë cilësuar nga mjekët si forma të hipokondrisë. Dhe është shqetësues fakti që paragjykime të tilla po shoqërojnë edhe dukurinë e“Covidit të Gjatë”. Ka raporte ku shumë paciente femra ankohen se simptomat e tyre të vazhdueshme janë shpërfillur nga mjekët, ose janë shpjeguar me ankthin.
Gjithsesi në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Jeilit SHBA, imunologiaAkiko Iuasaki e ka kaluar pjesën më të madhe të vitit të shkuar, duke u përpjekur të zbulojë dallimet midis mënyrës se si reagojnë burrat dhe gratë ndaj virusit Sars-CoV-2.
Një nga zbulimet e saj të hershme, ishte se qelizat T – një grup qelizash të rëndësishme për sistemin imunitar, që kërkojnë dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara nga virusi – janë shumë më aktive tek gratë sesa tek burrat në fazat e hershme të infeksionit. Një nga arsyet e kësaj mendohet të jetë për shkak të gjenetikës.
“Gratë kanë dy kopje të kromozomit X. Dhe shumë prej gjeneve që kodojnë pjesë të ndryshme të sistemit imunitar ndodhen në atë kromozom, ç ka do të thotë se përgjigjet e ndryshme imune shprehen më fort tek gratë”-thotë ajo.
Por Iuasaki mbështet një teori të quajtur “hipoteza e kompensimit të shtatzënisë”, e cila sugjeron se gratë në moshën riprodhuese, kanë një përgjigje imune më reaktive ndaj pranisë së një patogjeni, pasi sistemet e tyre imune kanë evoluar për të mbështetur nevojën e shtuar për mbrojtje gjatë shtatzënisë.
Kjo përgjigje e fortë imunitare, mendohet të jetë një nga arsyet pse gratë kanë më pak të ngjarë të vdesin nga Covid-19 gjatë fazës akute të infeksionit. Por kjo vjen me një kosto. Një nga teoritë kryesore mbi “Covidin e Gjatë”, është se fragmente të virusit arrijnë të qëndrojnë për shumë muaj në xhepat e largët të trupit, të njohur si rezervuarë.
Iuasaki thotë se mbetjet e Sars-CoV-2 ,janë zbuluar në pothuajse çdo ind të trupit, nga truri tek veshka. Për shkak se gratë reagojnë kaq fort ndaj pranisë së një virusi, disa shkencëtarë mendojnë se këto rezervuarë viralë, kanë më shumë të ngjarë të shkaktojnë valë të inflamacionit kronik në të gjithë trupin, duke çuar në simptomat e dhimbjes, lodhjes dhe mjegullnajës mendore që përjetohet nga shumë njerëz që vuajnë nga “Covidi i Gjatë”.
Por shumë shkencëtarë që studiojnë këtë dukuri, besojnë se në një pjesë të rasteve virusi mund të ketë shkaktuar një sëmundje autoimune, duke bërë që elementët e sistemit imunitar të prodhojnë antitrupa, të njohura si autoantitrupa, të cilët sulmojnë organet e veta të trupit.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar, Iuasaki dhe të tjerët kanë botuar studime që kanë identifikuar nivele të ngritura të më shumë se 100 autoantitrupave të ndryshëm tek pacientët e prekur nga Covid-19, të drejtuara kundër një sërë indesh nga rreshtimi i enëve të gjakut deri në tru.
Disa shkencëtarë tashmë kanë filluar ta përshkruajnë “Covidin e Gjatë” si një sëmundje autoimune të lidhur me estrogjenin, duke bërë thirrje për më shumë kërkime në këtë fushë. / The Guardian – Bota.al