Bëhet me dije se në takimin e ministrit të jashtëm, Nikos Dendias dhe ambasadores shqiptare Luela Hajdaraga u dakordësua për intensifikimin e kontakteve dhe nisjen sa më herët të dialogut mes dy vendeve për shportën e bisedimeve për çështjet e hapura mes dy vendeve.
Ky dialog mbeti në mes për shkak të Covid-19. Sipas Dendias, marrëdhëniet mes dy vendeve janë strategjike ndaj nuk duhet humbur kohë për të çuar dhe më tej dialogun mes dy vendeve.
Pala greke rikonfirmoi vullnetin e saj për të qenë në krye të vendeve që do të mbështesin vendin tonë në procesin e implementimit të kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ministri i jashtëm grek shprehu dëshirën për një vizitë të afërt në Tiranë, ku do të ketë takime me krerët e shtetit shqiptar. Pritet konfirmim i datës së vizitës në Tiranë.
Dendias: Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën europiane. Së shpejti vij në Tiranë për të takuar liderët Shqiptarë dhe të rinisë procesi i dialogut mes dy vendeve. Dy vendet kanë projekte të përbashkëta rajonale.
Të dy palët ranë dakord për nisjen e përgatitjes për hapjen e kufijve për turistët shqiptarë, datë e cila besohet se do të jetë e afërt, por ende e pa publikuar.
Gjithashtu pala greke premtoi edhe nisje sa më shpejtë të jetë e mundur e procedurave të bashkimeve familjare, proces që la të ndarë për më shumë se 1 vit, qindra familje në të dy anët e kufirit për shkak të pandemisë covid. TCH