“Tirana FitFest” mblodhi pasditen e djeshme adhuruesit e sportit, adrenalinës dhe dancit sportiv në mjediset pranë korpusit universitar.

Sipërmarrje të shumta që ofrojnë shërbime fitness në kryeqytet, stafet e tyre dhe qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshme shijuan një pasdite të veçantë në ndarjen e eksperiencave, marrjen e informacionit si dhe shijuan performancat nga të apasionuarit.

Aktiviteti është zhvilluar për dy ditë me radhë, në datat 23 dhe 24 qershor. Në nisje të aktivitetit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri thirrje që fitnesin dhe aktivitetin fizik të rinjtë ta kenë prioritet sidomos për shëndetin e tyre.

Ai premtoi se sikurse është ndjekur strategjia e infrastrukturës së biçikletave në Tiranë, do të vazhdohet që në fokus të jetë edhe kjo kategori tjetër.

Aktiviteti u organizua tek ambienti i ashtuquajtur “Kolonat” përpara stadiumit “Air-Albania”. Përveç demonstrimeve sportive dhe performancave të ndryshme të dancit sportiv, një kënd i dedikuar ishte edhe për promovimi i pajisjeve sportive që shërbejnë për të ushtruar këtë sport jo vetëm në palestra, por edhe në kushte shtëpie.

Aktiviteti pati një interes shumë të lartë, çka e tregon edhe numri i madh i qytetarëve të Tiranës që e vizituan atë. Profesionistët e kësaj fushe edhe i këshillonin qytetarët e interesuar se si mund të veprohet kur ata duan ta ushtrojnë këtë aktivitet.