Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, e ka pranuar se skuadra e tij ka shumë punë për të bërë para ndeshjes hapëse në Euro 2020, duke e nënvizuar mbrojtjen e vet si fushë kyçe ku nevojitet përmirësimi. Anglia do ta hapë fushatën në Euro 2020 kundër Kroacisë më 13 qershor në Wembley dhe trajneri druhet se skuadra e tij ende nuk është mjaftueshëm e mirë në disa aspekte.
I pyetur për punën e mbrojtjes së tij në ndeshjet përgatitore, Southgate tha: “Nuk më pëlqeu sesi luajti ekipi pa top në pjesën e parë. Nuk ishim të disiplinuar në mënyrën sesi u mbrojtëm. Nuk bëmë vrapime të mira për të fituar topa”. “Mesfusha u hap dhe mbrojtësve iu desh të merrnin shumë vendime. Atyre iu desh të shkonin aty ku nuk duhej të ishin (për të mbuluar hapësira). Pa dyshim se këtu duhet të përmirësohemi”, shtoi ai.
Anglia është pjesë e Grupit D në Euro 2020, bashkë me Kroacinë, Republikën e Çekisë dhe Skocinë.