Kompania “Space Perspective” hapi një kapitull të ri në fushën e turizmit hapësinor, pasi përfundoi me sukses fluturimin e parë pa pilot të një “tullumbace” gjigante që së shpejti do të çojë njerëzit për një shëtitje në hapësirë. Kompania nisi modelin e një tullumbace stratosferike, duke planifikuar fluturimin e saj të parë tregtar në vitin 2024. Anija kozmike “Neptune Once” arriti lartësinë e planifikuar prej 108.409 metrash, ku qëndroi pezull për 6 orë para se të ulej në Gjirin e Meksikës, përcjell abcnews.al.
“Space Perspective” është një startup i ri i themeluar në vitin 2020 nga Jane Poynter dhe Taber MacCallum, të cilët kishin themeluar më parë World View, një kompani që përdor sensorë stratosferikë të përshtatur për balona për të kapur imazhe nga hapësira.
Megjithatë, dy themeluesit e kompanisë menduan se kjo ide mund të kishte aplikime të tjera. Bashkëthemeluesi i kompanisë Jane Poynter tha: “Fluturimi me Neptun do të jetë një përvojë e pabesueshme për zbuluesit tanë të hapësirës.” Vlen të përmendet se “Neptuni” mban në bord nëntë persona dhe ka një minibar, i cili rrethohet nga dritare të mëdha. “Fluturimi” do të përfshijë një ngjitje dy-orëshe në atmosferë dhe pastaj “Neptuni” do të rri pezull mbi Oqeanin Atlantik për dy orë të tjera.