Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi se Turqia do të dhurojë 30 000 vaksina ”Sinovac”.

Këtë informacion ministri Filipçe e njoftoi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, gjatë vizitës së djeshme në Republikën e Turqisë.

“Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan na njoftoi se do të na dhurojnë 30 mijë vaksina nga prodhuesi Sinovac. Ky gjest i solidaritetit është edhe një tregues i miqësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve. Falënderim të madh për popullin turk dhe presidentin Erdogan”, theksoi Filipçe.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë vizitës së djeshme njëditore të punës në Turqi u takua me presidentin Erdogan.

Siç njoftoi shërbimit për shtyp i qeverisë, në një darkë pune në Stamboll ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, kryeministri Zaev dhe presidenti Erdogan u diskutua për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin dinamik në shumë fusha.