BM ka miratuar vaksinën antiCOVID-19 Pfizer/BioNTech për përdorim te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç.

Agjencia Rregullatore britanike e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) autorizoi sot përdorimin e vaksinës në grupmoshën më të re pas një rishikimi të sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të saj.

Vaksina Pfizer ishte e para që u autorizua për përdorim në BM në fund të vitit të kaluar.

“Ne kemi rishikuar me kujdes të dhënat e provave klinike te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç dhe kemi arritur në përfundimin se vaksina antiCOVID-19 Pfizer/BioNTech është e sigurt dhe efikase në këtë grup moshë dhe se përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë çdo rrezik”, tha Dr. June Raine, kreu ekzekutiv i MHRA.

“Asnjë shtrirje autorizimi nuk miratohet nëse nuk janë përmbushur standardet e pritura të sigurisë, cilësisë dhe efektivitetit”, shtoi Raine.

Sipas saj, tani pritet që Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) të këshillojë nëse kjo grupmoshë do të vaksinohet si pjesë e programit të vaksinimit.