Në Qendrën Shëndetësore nr.10 në kryeqytet janë vaksinuar në ambientet e shtëpisë rreth 108 pacientë, ndërsa vetëm në qendër janë aplikuar në total 6000 doza vaksine.

Doktoreshë Jonida Diko mjeke pranë kësaj qendre shëndetësore tha për ATSH-në se “sipas planit kombëtar të vaksinimit për të moshuarit dhe qytetarët e pamundur vaksinimi antikovid kryhet në banesë. Për shkak të pamundësisë së tyre për të lëvizur, ekipet tona për këta pacientë e kryejnë vaksinimin në shtëpitë e tyre”.

“Qendra shëndetësore nr. 10 e kryen vaksinimin duke zbatuar me përpikëri rregullat ndaj COVID-19, pacientët njoftohen për oraret e vaksinimit nga mjeku familjes. Stafi i vaksinimit me mjekun përkatës dhe infermierin kryen vaksinën sipas fashave edhe në shtëpi”, tha mjekja Diko.

Lidhur me procesin e vaksinimit për kategoritë e tjera mjekja Diko thekson se “procesi i vaksinimit antikovid në qendrën shëndetësore nr.10 në kryeqytet po vijon normalisht, pa efekte anësore për të vaksinuarit”.

Vetëm në këtë qendër shëndetësore, sipas saj, janë aplikuar në total 6000 doza vaksine.

Sipas saj, aktualisht po vaksinohet mosha mbi 57 vjeç me prioritet të sëmurët kronikë.

Diko sqaron se “për të sëmurët kronikë po përdorim vaksinën Pfizer sipas udhëzimit të vetë vaksinës. Të sëmurët kronikë që u është dhënë përparësi për vaksinën Pfizer në qendrat shëndetësore kanë qenë të sëmurët CA, me transplant renal, me sëmundje autoimune, diabetikët me varësi nga insulina. Tani udhëzimi për vaksinën Pfizer është rishikuar dhe janë futur edhe kategori pacientësh me sëmundje kronike të përcaktuara nga vetë udhëzuesi”.

“Sipas kalendarit të vaksinimit jemi duke aplikuar doza të para edhe të dyta. Interesi për vaksinimin vijon të jetë i shtuar dhe refuzime nuk pasur fare nga kjo grupmoshë”, theksoi ajo.

Mjekja Diko i bën thirrje qytetarëve që të shkojnë pranë mjekut të familjes për planifikimin e vaksinimit.

“Dua t’ju bëj një thirrje qytetarëve, të vijnë për planifikimin e vaksinimit antikovid tek mjeku i familjes dhe gjithashtu të konsultohet me të paraprakisht”, – tha mjekja.