Greqia ka vendosur që të pranojë të gjithë personat e vaksinuar, të miratuar ose jo nga EMA, për hyrjen e turistëve në vend. Nga ky vendim përfitojnë edhe qytetarët shqiptar, të cilët janë vaksinuar me vaksinat kineze dhe rusë, të cila ende nuk janë miratuar nga EMA (Agjencia Europiane e Barnave).
Lajmin e bëri me dije ministrja e Shëndetësisë, Vana Papaevangelou e cila iu referua vaksinave që do të pranohen në Greqi, në lidhje me vizitorët që do të hyjnë në muajt e verës. Konkretisht do të pranohen qytetarët e vaksinuar me Novavax (SHBA), Sinovac Biotech (Kinë), Sputnic (Rusi), Sinopharm (Kinë) dhe CanSino Biologics (Kinë).
Kjo do të thotë që turistët që kanë bërë vaksinat e mësipërme do të mund të vizitojnë Greqinë pa detyrimin e testimit. Pak ditë më parë ishte Francë e cila hapi dyert për qytetarët shqiptarë, të cilët janë vaksinuar me një nga 4 vaksinat që është njohur nga EMA; Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Ndërkohë që është u arritur edhe marrëveshja e parë mes Shqipërisë dhe një vendi anëtar të BE për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID. Shqipëria dhe Hungaria, vendosën njohjen e të gjitha llojeve të vaksinave dhe të hapin kufijtë për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit.
Po ashtu edhe Spanja vendosi të hapë kufijtë për të gjithë turistët që vijnë nga vendet jashtë BE, përfshirë edhe Shqipërinë, me kushtin që çdo udhëtar duhet të jetë i pajisur me certifikatën e vaksinimit, nga vaksinat e miratuar nga EMA ose nga OBSH. Një ndër vaksinat e miratuara për përdorim urgjent nga OBSH është edhe ajo kineze, Sinovac e cila po përdoret në vendin tonë për vaksinimin masiv.