Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen ka ofruar mbështetje për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Mesazhin e saj presidentja e Komisionit Evropian e ka bërë të ditur përmes një letre për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në letrën e saj, Von Der Leyen, ka theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke e konfirmuar angazhimin e Komisionit Evropian për lobim në drejtim të marrjes së një vendimi pozitiv nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Von Der Leyen, ka shkruar se perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet i Komisionit Evropian, duke forcuar edhe pritshmëritë për një bashkëpunim në thellimin e marrëdhënieve me BE.