UEFA konfirmoi se finalja e Superkupës së Europës mes fituesit të Champions-it, Çelsit dhe Ligës së Europës, Vijarealit, do të luhet në “Windsor Park” në Belfast.
Qeveria europiane e futbollit vendosi që të mos e spostonte ndeshjen e 11 gushtit nga kryeqyteti i Irlandës së Veriut, pavarësisht se përflitej se ajo mund të zhvendosej në Stamboll, si formë kompensimi për heqjen e finales së Ligës së Kampioneve Siti-Çelsi më 29 maj.
Finalja u spostua në Porto të Portugalisë për shkak të pandemisë. UEFA e kishte diskutuar mundësinë e zhvendosjes së Superkupës së Europës në Stamboll, por në fund vendosi për të mos bërë asnjë ndryshim në axhendë, duke qenë se metropoli turk pritet të jetë vendi pritës i finales së ardhshme të Champions-it. Dje u konfirmua edhe finalja e Superkupës së Anglisë mes kampiones së Premier Ligës, Sitit dhe fituesit të Kupës FA, Lestërit, e cila do të luhet në “Wembley” më 7 gusht.