Nga Alba Malltezi

“Jemi me fat që populli shqiptar ka mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Pa ta, Drejtësia jonë nuk do të rimëkëmbej. Populli shqiptar po bëhet i vetëdijshëm për votën, ndërsa disa politikanë, gazetarë apo analistë vazhdojnë të mos kuptojnë ose shtiren sikur nuk kuptojnë mesazhet e qarta të SHBA dhe të BE… Disa veprime dhe deklarata të presidentit të Republikës janë të turpshme. Shqipëria duhet ta zgjedhë presidentin nga populli dhe kjo është e mundur”.

Zef Brozi, një nga emrat më të njohur të drejtësisë shqiptare, ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit në 1994, i persekutuar nga politika e Sali Berishës, një nga gjykatësit e parë rebelë ndaj pushtetit të tij, dhe që nga atëherë i emigruar në Shtetet e Bashkuar ku punon për qeverinë federale, komenton ngjarjet e fundit në Shqipëri, duke u nisur nga më e bujshmja: Shpallja “non grata” e Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por komenton edhe zgjedhjet, Presidencën dhe të ardhmen e Shqipërisë. Zef Brozi, si të tjerë shqiptarë brenda vendit dhe jashtë Shqipërisë, është padyshim një nga kontribuesit më aktivë dhe të palodhur të së drejtës dhe të vërtetës. Shumë deklarata, dëshmi e komente të tij në vite, sot po marrin jetë nën dritën e diellit dhe gjithnjë e më shumë vërtetësi.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shpalli non grata Sali Berishën dhe familjen e tij. A ishte një rrufe në qiell të pastër, apo rrjedhja logjike e ngjarjeve? Sipas jush në bazë të cilave informacione DASH ka marrë një vendim kaq të rëndë?

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shpalljen “Non Grata” të Berishës dëshmon mbështetjen e fuqishme të saj për Shqipërinë, për luftën kundër korrupsionit të pushtetarëvë dhe ish-pushtetarëve të lartë të këtyre 30 viteve, për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për demokracinë e ëndërruar. Natyrisht që ky vendim bazohet në informacionet e shumta që kanë institucionet në Amerikë dhe më gjerë gjatë tri dekadave. Por institucionet e Drejtësisë duhet ta kuptojnë mire mesazhin dhe mbështetjen që po u jepet dhe duhet të veprojnë. Një mal me prova ato i kanë në Shqipëri për vënien para drejtësisë të të pandëshkueshmit e të paprekëshmëve të derisotëm për korrupsionin e krimet e tyre.

Faleminderit Amerikës edhe për këtë akt me domethënie të madhe! Amerika gjithmonë ka qenë në anën e drejtë të historisë së Shqipërisë dhe asaj botërore. Se sa heret apo sa vonë i kuptojnë analistët , politikanët, pushtetarët e të tjerët qëndrimet e qeverisë së SHBA varet nga shumë faktorë. Por ka edhe nga ata që nuk duan t’i kuptojnë apo bëjnë sikur nuk i kuptojnë ato dhe harxhojnë kohën me interpretime false sipas oreksit dhe interesave të tyre.

Si mendoni se duhet të veprojë drejtësia për familjen Berisha, por edhe për politikanë të tjerë shqiptarë që sot në sy të të gjithëve jetojnë në prona që shohim dhe bëjnë një jetë luksi. A mendoni se Drejtësia e Re do të hetojë mbi origjinën dhe burimin e këtyre pasurive?

SPAK, BKH dhe Gjykata e Posacme kanë një mision të madh e jetik për vendin: Ta çlirojnë Shqipërinë nga kthetrat e korrupsionit dhe krimit e t’i japin fund mosndëshkueshmërisë së pushtetarëvë e ish pushtetarëvë të lartë, kushdo qofshin ata. Mjeti më efektiv në këtë luftë është konfiskimi i parave dhe pasurive të paligjshme të tyre.

Unë u bëj apel shtypit, medias dhe të gjithë shqiptarëvë që të mbështesin fort organet e drejtësisë, sidomos SPAK, BKH e Gjykatën e Posaçme.

Jeni një nga njohësit më të mirë të historisë së drejtësisë shqiptare, por tashmë edhe me një kulturë dhe njohuri Perëndimore të funksionimit të organeve të drejtësisë. A mund të dëgjojmë prej jush se cila është specifika dhe vaçantia e shkatërrimit të Drejtësisë tek ne? Ku e ka origjinën problemi i drejtësisë në Shqipëri?

Drejtësinë në Shqipëri e shkatërruan politikanët dhe pushtetarët që donin t’i kishin gjyqtarët e prokurorët vegla të bindura dhe mbrojtës e garantues të pandëshkueshmërisë së krimve e korrupsionit të tyre. Pavarësia e gjykatave ka qenë një parim i huaj dhe i papranueshem për politikën shumëngjyrëshe shqiptare, ndonëse sanksionohej në Kushtetutë dhe propagandohej dinakërisht në fjalime e takime të politikanëve e pushtetarëvë. Nuk duhet harruar se diktatura Berishiane vrau ëndrrat dhe idealet për një gjyqësor e prokurori të pavarur qysh në tentativat dhe hapat e parë në vitet 1992 – 1995 e në vazhdim, terrorizoi e frikësoi gjyqësorin, persekutoi egërsisht ata gjyqtarë e prokurorë që nuk iu nënshtruan atij dhe politikës. Dua t’ju kujtoj edhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Maksim Haxhia në vitin 1992 sepse ai nuk po u bindej urdhërave të presidentit. Mos harroni edhe kërcënimet, akuzat e fabrikuara e fjalorin vulgar ndaj Prokurores së Përgjithëshme Ina Rama nga kryeministri i aktit terrorist shtetëror të 21 Janarit 2011. Por për korrupsionin në organet e drejtësisë përgjegjësia sëpari bie mbi seicilin prokuror e gjyqtar të korruptuar.

A duhet SPAK të ndërmarrë hetime ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të përjashtuar tashmë, për faktin se nuk kanë mundur të tregojnë origjinën e pasurive të tyre? Çështja Llalla do të mbetet e vetme apo jo?

Me sa di SPAK ka filluar disa çështje të tilla. Koha do ta vërtetojë nëse Llalla do të mbetet i vetmi apo jo.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar vitet e fundit për ringjalljen e Drejtësisë. A do të kishte qenë e mundur kjo pa ndihmën e tyre? A do të kishim mundur ne të vetëm si shqiptarë për të kthyer dinjitetin e Drejtësisë në vend? Çfarë na ka penguar?

Jam i bindur se pa ndihmën dhe këmbënguljen e admirueshme e të jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit European Reforma në Drejtësi nuk do të ishte miratuar dhe as zbatuar. Frika e politikanëve dhe pushtetarëvë të korruptuar të çdo kohe e përkatësie partiake do ta bënte të pamundur një reformë reale të Drejtësisë.

Unë dua të shpreh mirënjohjen dhe falenderimin më të madh për ambasadoren Yuri Kim, ish ambasadorin Donald Lu dhe për ambasadorët e Bashkimit Europian Luigi Soreca e Romana Vlahutin për integritetin e lartë profesional dhe dashurinë e madhe që kanë për Shqipërinë. Ata kanë dhënë kontribute tepër të çmuara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe për reformat demokratike në Shqipëri. Si shtetas amerikan unë ndihem shumë krenar për ambasadorët Lu dhe Kim. U bëj apel veçanërisht politikanëve, pushtetarëvë, ish-pushtetarëve, prokurorëve e gjyqtarëve, gazetarëve e medias, që t’i lexojnë e kuptojnë mirë mesazhet e ambasadores Yuri Kim që shumë qartë shprehin qëndrimet e Presidentit dhe qeverisë së SHBA.

25 prilli ishte konfirmimi i mandati të tretë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por edhe një JO! E fortë e shqiptarëve për rikthimin e aleancës Meta-Berisha. Si e parashikoni rimëkëmbjen e opozitës, që është gjithashtu po sa Drejtësia, një shtyllë e domosdoshme për harmoninë dhe funksionimin e demokracisë në vend?

Zgjedhjet po tregojnë se qytetarët shqiptarë përgjithësisht po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm për rëndësinë e votës së tyre dhe po çlirohen nga militantizmi i verbër partiak dhe shërbesa pa kushte ndaj kryetarëve të partive. Votuesit po vlerësojnë punën e jo premtimet boshe. Por zgjedhjet treguan se ka nevojë për thellimin e reformës zgjedhore, korrigjimin e disa mangësive. Unë dua të mbështes fuqimisht hetimin dhe ndëshkimin maksimal dhe pa vonesa të çdo krimi elektoral.

Shqipëria ka nevojë urgjente për një opozitë konstruktive, konkuruese e me vizion Perëndimor. Duhet një opozitë që nuk pranon të drejtohet nga të inkriminuar e të korruptuar, një opozitë që respekton anëtarët e saj, një opozitë që i bën oponencë reale qëverisjes dhë që dënon jo vetëm korrupsionin e pushtetit, por edhe të vetvetes. Opozita nuk mund të vijë në pushtet duke sulmuar e braktisur institucionet, nuk mund të fitojë më zgjedhjet përmes gënjeshtrave, dhunës, vrasjeve, shkatërrimeve, manipulimeve e mashtrimit. Opozita nuk do mundet të luajë rolin që duhet edhe nëse drejtohet a mbahet peng nga persona te shpallur të padësheruar për Amerikën apo që nuk u jepet vizë për në Amerikë.

E keni ndjekur punën e presidentit Ilir Meta dhe funksionimin e institucionit të Presidencës? Keni një mendim dhe për këtë institucion po kaq të rëndësishëm të vendit?

Më e pakta që mund të them është: Turpëruese, të papranueshme dhe aspak presidenciale kanë qenë disa sjellje, akte e pronocime publike të Presidentit Meta.

Unë qysh kur po hartohej Kushtetuta e re e deri më sot kam propozuar e vazhdoj të sugjeroj që presidenti duhet të zgjidhet direkt nga populli. Mendoj se presidentit dhe kandidatëve për president duhet t’u bëhen vetingu dhe vizita mjekësore. Do jetë mirë që këtë ndryshim në Kushtetutë ta bëjë sa më shpejt Parlamenti që dhe presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga populli. Nuk është e vërtetë ajo që thonë disa se presidenti nuk mund të zgjidhet nga populli në vendet që janë republike parlamentare, pra as në Shqipëri. Ky argument i vjetëruar është jo i saktë sot dhe hidhet poshtë edhe nga përvoja e disa shteteve fqinj me vendin tonë. Por dihet se kryetarët e partive në Shqipëri kanë dashur dhe mbase do të duan edhe në të ardhmen që ta emërojnë vetë presidentin. Unë uroj që një femër të jetë presidentja e ardhëshme e Shqipërisë.

Çfarë opinioni keni për mediat sot në Shqipëri?

Shtypi e media kanë një mision të rëndësishëm në një shoqëri demokratike sidomos për informimin korrekt të publikut dhe denoncimin e korrupsionit të kujtdoqoftë. Shtypi e media bëhen të rrezikshëm për demokracinë nëse ato qëllimisht dezinformojnë, apo bëhen edhe avokatë të së keqes, krimit e korrupsionit.

Në Shqipëri, me sa kam lexuar apo shikuar në median sociale e television, ka disa gazetarë me integritet profesional, por janë jo të pakët ata që devijojnë nga misioni fisnik i shtypit e medias së lirë. Unë kam respekt për gazetarët kurajoz, mbrojtës të së vërtetës dhe me integritet.

Që prej përndjekjes së Sali Berishës kur ju ishit në krye të Gjykatës së Kasacionit e deri më sot jetoni dhe punoni në Shtetet e Bashkuara. E keni menduar ndonjëherë kthimin në Shqipëri dhe kontributin tuaj të drejtpërdrejtë në vend?

Tani unë preferoj të mos bëj plane për të ardhmen sepse jeta është e paparishikueshme. Fjala vjen, unë kurrë nuk e kisha menduar, dëshëruar a planifikuar që të isha emigrant, por që nga 12 Nëntori 1995 jam emigrant në Amerikë. Kudo që të jem unë do vazhdoj të kontriboj indirekt apo direkt për Shqipërinë. Mos harroni se emigrantët shqiptarë e kanë ndihmuar shumë vendin e tyre gjatë gjithë këtyre 30 viteve.

Si jetoni sot dhe cili është impenjimi juaj aktual në Uashington?

Unë dhe Diana ka shumë vite që jemi nëpunës të qeverise federale. Edhe vajza ime punon gjithashtu në një department federal.

Si dhe ku e mendoni të ardhmen e Shqipërisë? Ku e shihni rrugën e shëndetshme të saj?

E ardhmja e Shqipërisë është aty ku e ka vendin: Anëtare e denjë e Bashkimit Europian dhe gjithmonë me fat të ketë mbështetjen e madhe e jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë shpresoj shumë se progresi i Shqipërisë dhe qënësia e saj pro-Perendimore nuk do të mund të ndalen e sabotohen më nga askush. Shpresoj shumë se të rinjtë e të rejat e vendit tonë do jenë gjithnjë e më të etur për dije, të aftë për të konkuruar me sukses në biznese, në politikë, art, shkencë, sport dhe në cdo aspekt të jetës, brenda e jashtë Shqipërisë.

Shqiptarët janë popull i mrekullueshëm. por që patën fatin e keq të udhëhiqen nga disa politikanë të mbrapshtë. Shpresoj që Drejtësia do fillojë t’i korrigjojë dhe edukojë politikanët. Sikurse e thekson ambasadorja e nderuar Yuri Kim koha e pandëshkueshmërisë po merr fund. Prandaj ka edhe më shumë shpresa se e ardhmja e Shqipërisë sonë të dashur është edhe më e bukur e më optimiste.(Shqiptarja.com)