Me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Në mesazhin e tij, Ruçi thekson se “Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhja më e mençur që ka bërë Shqipëria, në rrugën e saj si një kontribuese për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”.
Mesazhi i plotë i Ruçit:
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të ngrohta me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kësaj ngjarjeje madhore jo vetëm të historisë së ShBA, por edhe të historisë dhe zhvillimeve botërore.
Deklarata e Pavarësisë dhe themelimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një bekim për kombin e madh amerilkan, por edhe për të gjithë popujt liridashës e paqedashës në të gjithë planetin.
Asnjë komb tjetër nuk ka arritur që në rreth dy shekuj e gjysem pavarësi e demokraci të shndërrohet në demokracinë më të madhe, më të fuqishme, më frymëzuese dhe në sistemin e referimit të kombeve që aspirojnë dhe ndërtojnë demokracinë në vendet e tyre.
Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta Amerikane dhe Demokracia Amerikane janë referencat më domethënse për ndërtimin e shtetit demokratik, mbrojtjen e lirisë së popujve dhe të qytetarëve, garantimin e sigurisë dhe paqes së përbotshme, mbështetjen e zhvillimit dhe të mirëqenies së kombeve dhe popujve të vegjël. Ekzistenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na bën të gjithë të ndjehemi të barabartë në përpjekjet tona për zhvillim, demokraci, siguri, stabilitet e paqe.
Këtë rol vendimtar të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin, demokracinë dhe paqen në botë e ndjejmë veçanërisht ne, shqiptarët. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe mbeten garantët e mbijetesës së kombit shqiptar gjatë udhëkryqeve të historisë sonë kombëtare, inspirusesit dhe mbështetësit e hyrjes së Shqipërisë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, pas diktaturës komuniste, dhe udhëheqësit e botës demokratike në luftën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është zgjedhja më e mençur që ka bërë Shqipëria, në rrugën e saj si një kontribuese për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.
Unë dhe Kuvendi i Sgqipërisë jemi krenarë për bashkëpunimin me Dhomën e Përfaqësuesve dhe lidershipin Tuaj dhe jemi të bindur se ky bashkëpunim do të vijë duke u zgjeruar e thelluar në të ardhmen.