Monika Kryemadhi është zhdukur nga opinioni publik që prej humbjes së zgjedhjeve. I shoqi ndërkohë, është po ashtu pak prezent, por të paktën e poston ndonjë foto a video lakuriq duke u larë. Por gazeta Shqip shkruan sot, se të dy ata janë në një vizitë private në SHBA.

“Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë udhëtuar drejt SHBA-ve. Sipas burimeve të gazeta “Shqip”, presidenti dhe bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së kanë udhëtuar përtej Atlantikut për qëllime private dhe jo për ndonjë vizitë zyrtare. Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shfaqur e tërhequr nga jeta aktive politike, duke ia lënë të gjithë barrën e denoncimeve drejtuesve të tjerë të kësaj partie. Më herët presidenti Meta dhe Kryemadhi u shfaqën së bashku në Budapest 3 javë më parë gjatë inaugurimit të përmendores së heroit kombëtar Skënderbeu.

Sot çifti presidencial ka preferuar që të udhëtojnë drejt SHBA-ve për të kaluar disa ditë pushimi”, shkruan “Shqip”. Kryemadhi në fakt, udhëtoi drejt SHBA-së edhe një muaj më parë, për t’u takuar me kushërirën Bebe Rexha. Ishte kjo e fundit që postoi disa foto me të.