Në Kampionatin e fundit Europian, të vitit 2016, në çerekfinale ishin këto çifte: Poloni-Portugali, Uells-Belgjikë, Gjermani-Itali, Francë-Islandë. Gjashtë prej tyre janë zhdukur në këtë raund të “Euro 2020”. Të gjithë, përveç Belgjikës dhe Italisë. Europianët janë tradicionalisht më demokratikë sesa Kupa e Botës. Vendi i nderit tregon për 10 mbretëresha në 15 edicione: Gjermania dhe Spanja (3); Franca (2); Bashkimi Sovjetik, Italia, Çekosllovakia, Hollanda, Danimarka, Greqia dhe Portugalia (1). Kupa e Botës, nga ana tjetër, është shumë më koprrace: Brazili (5); Gjermania dhe Italia (4); Argjentina, Franca dhe Uruguaji (2); Anglia dhe Spanja (1). Nuk besojmë në një arsye të veçantë ose specifike, por kaq: Greqia 2004, të cilën “rrufeja” e Otto Rehhagel e çoi përtej agimit të krishtërimit, mishëron kufirin e saj më romantik dhe më drastik. Tani për tani, nga analiza tekniko-taktike del një paanshmëri e caktuar. Anasjelltas, shumë gola dhe shumë emocione. Nuk mendojmë se ka ndonjë kontradiktë. Argëtimi është një gjë, fitorja është një tjetër: ato nuk përkojnë gjithmonë. Ne jemi duke konsumuar pjesën e fundit të një sezoni të rënduar nga pandemia. Një sezon i pafund. Centimetrat e Arnautoviç, marrëzitë e De Ligt, gabimi i Thomas Muller, e kuqja e Danielson: nuk ka episode të rralla që, më shumë sesa skemat, kanë udhëhequr rezultatet.
Nga faza e grupeve në ndeshjet me eliminim direkt është si të shkosh nga martesa në tradhti bashkëshortore. Pak e mërzitshme, por duhet ecur përpara, duke marrë parasysh edhe rrezikun e eleminimit. Ndërtimi nga pas u zvogëlua dhe askush, duam të themi askush, nuk doli në rrugë. “10” janë deportuar. Ka nga ata që hyjnë nga stoli (Grealish) dhe ata, si Mbappé ose Griezmann, që kanë paguar për arrogancën edhe më shumë sesa eksperimentet e paturpshme të Deschamps. Gjithnjë e më pak fantazistë po shohim në veprim dhe kjo është edhe arsyeja pse jemi dëshmitarë të fazave të rrafshuara, nga gjysma e fushës në tjetrën. Ka skuadra që shtyjnë përpara (Italinë) dhe të tjerët, si Ukraina, të cilat preferojnë të zmbrapsen dhe shqetësojnë me kundërsulm. Nga regjisorët klasikë mbetën Jorginho, Xhaka dhe Busquets. Surpriza nuk është Anglia si e tillë, por Anglia, e cila ende nuk ka pësuar gol. Në përgjithësi, shumë drejtësi dhe, për këtë arsye, arbitrim i lehtë ose në çdo rast i saktë nga një VAR i dëlirë, jo-invaziv, jo shumë “italian”.
Dhe tani, parashikimet e çerekfinaleve
** Zvicra 49% / Spanja 51%. I urrejmë adhuruesit e “fifty-fifty”. Petkovic dhe Luis Enrique janë teknikë fleksibël, që ndjekin ide, jo modën. Zvicra që ka përmbysur Francën nga 1-3 në 3-3 është një zonjë e rëndë. Në secilin repart ka nga një lider: portieri (Sommer), postblloku (Akanji), radari (Xhaka), qendërsulmuesi (Seferovic). “La Roja” shkojnë e egër në këtë përballje, me një portier që bëri gafë foshnjarake në sfiodën e fundit (Simon). Sidoqoftë, Spanja të jep përshtypjen e një rruli ofensiv, mjafton të kujtojmë 10 golat e shënuar në dy ndeshjet e fundit.
** Belgjika 51% / Italia 49%. Me kusht që De Bruyne dhe Eden Hazard të shërohen, pra të luajnë. Përndryshe, Italia 51% / Belgjika 49%. Mancini është një vizionar, Martinez ka gjithçka, përveç një reaksionari. Sa më shumë që luajnë axurrët, aq më shumë frymëzohen belgët (të tretët në Kupën e fundit Botërore, mos e harroni kurrë këtë). Lukaku kundrejt Bonucci dhe Chiellini, një sfidë brenda supersfidës, natyrisht. Spikat edhe shpejtësia italiane e “lundrimit”: Spinazzola dhe Di Lorenzo. Gjithashtu Chiesa, që pritet të zëvendësojë Berardi. Ne do të propozonim formulën anti-Austri përsëri. Me Locatelli startues dhe Verratti më vonë në lojë. Kujdes për gjuajtjet e Lukaku, vëmendje krahut të majtë, vëllezërve Hazard, ose Thorgan plus Carrasco. Çelësi mbetet De Bruyne: ai nuk ka adresë, jeton mbi urat e normalitetit. Ai ka një goditje si rrufe. Nga ana tjetër, Belgjika është pak më e vjetër, edhe nëse, deri më tani, vetëm danezët i kanë shënuar.
** Ukraina 40% / Anglia 60%. Në letër është kështu, të paktën për ne. Southgate gjeti qetësi përmes flijimit të Foden dhe Mount. Kthimi i Maguire, jashtëzakonshmëria e Phillips, Rice dhe Shaw, liria “gjeografike” e Sterling; të gjitha kanë kontribuar në theksimin e konceptit të një “fabrike” që do të bëjë pak perandori, por mund të shkojë shumë larg. Pickford është gjithashtu një portier shpëtimtar. Harry Kane? U zgjua ndaj Gjermanisë, i çmuar si gjithmonë. Shevchenko është një teknik pragmatik, aplikon kundërsulmin, i gatshëm të ndëshkojë cilindo. Zinchenko dhe Yarmolenko janë trarët, ndërsa Shaparenko dhe / ose Malinovskyi të aftë të “gudulisin” kundërshtarin me guxim.
** Republika Çeke 49% / Danimarka 51%. Nga njëra anë, një ndërtesë e themeluar mirë mbi “komunizmin” e të gjithëve për një dhe një për të gjithë; nga Soucek te Barak, me Schick si një terminal luhatës, por tërheqës. Nga ana tjetër, shkopinjtë e atij “dinamiti danez”, i cili, në vitet 80-të e bëri Kopenhagenin kërthizën e një futbolli salgarian, si nga misticizmi i përrallave. Një kujtim lëviz rreth kapitenit Kjaer, jo thjesht një ëndërr. A ju kujtohet viti 1992? Maehle, Braithwaite dhe Dolberg nuk janë trashëgimtarë, por fëmijë me flakë të njëjtë të asaj kohe, të gjithë. Për të mos përmendur efektin “Eriksen”.