Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka komentuar arrestimin e kryetarit të bashkisë Lushnjë Fatos Tushe për abuzim me një tender prej 226 milionë lekësh për rehabilitimin një kanali ujitës në Kolonjë.

I ftuar në emisionin “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço , Braçe tha se nuk diskuton vendimet e gjykatës dhe se nëse prokuroria ka prova se ka pasur abuzime atëherë le t’i shkojë deri në fund.

“Unë nuk merreme me debate. Unë nuk diskutoj vendime të gjykatës. Bashkia e Lushnjës ka mbajtur 5% të fondit të garancisë dhe unë i kam kërkuar të përmirësojmë çdo gjë që kanali të çojë ujë. As në kohën e koperativës nuk kanë pasur ujë. Çështja ka të bëjë me mënyrën se si është bërë prokurorimi. Prokuroria pretendon se ka prova se është shkelur ligji t’i shkojë deri në fund”- u shpreh Braçe.

I pyetur për akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se “B”-ja që përmendet në përgjimet e SPAK-ut që ka 11 zyrtarë dhe biznesmenë deri tani nën akuzë, është vetë Braçe, ai e ka quajtur një shpifje dhe i ka kërkuar SPAK të veprojë dhe të gjithë e dinë se për kë bëhet fjalë, duke hedhur pretendimin se mund të jetë ish-kryeministri.

“Kujtoja se nuk ekziston më ky. Ai është keqberësi më i pandëshkuar që ka Shqipëria. SPAK-u ka detyrën e vet. Ky fundërrina është gjithë kohën në errësisë. Pse “B-ja” nuk mund të jetë Berisha? Unë kam më shumë nder dhe dinjitet se Sali Berisha. Të gjithë ata që na njohin e dinë fare mirë për çfarë bëhet fjalë. Kjo çështje do të shkojë në gjykatë, unë këtu jam. Është një shpifje e ngritur nga Sali Berisha”-shtoi ai.