Nga Afrim Kasolli
Edi Rama vazhdon të mbetet një politikan atipik. Dhe me këtë nuk e kam fjalën për sjelljet ekzibicioniste që ai shpeshherë ka demonstruar. Apo bilancin e qeverisjes së tij në të gjitha pozitat që ka gëzuar deri më tani. Sepse kjo është një temë në vete. Por për një veçanti tjetër.
Gjatë karrierës së tij të bujshme ai asnjëherë gjakimin për pushtet, këtë shtysë psiko-politike, nuk e ka ndarë nga pasioni i thellë për ta lëvruar edhe gjuhën shqipe në çdo komunikim të tij. Shfaqjet e tij shpeshherë të krijojnë ndjesinë e të pamundurës. Të një standardi që shumë shpejt mund të vendoset në muzeun e retorikës shqiptare. Sidomos kur sheh murmurimat dhe llomotitjet e përcipta të shumicës së politikanëve tjerë.
Në qenien e tij publike banojnë në mënyrë impresive politikani, shtetari, artisti dhe eseisti brilant. Sa i përket këtyre cilësive lirisht mund të themi se Edi rangohet në galerinë e personaliteteve ikonike që kanë vepruar në universin tonë, sikurse kanë qenë Fan Noli, Arben Xhaferi etj. Sepse edhe ata i kishte dalluar një përkushtim fisnik për t’i lartësuar thesaret tona gjuhësore. Madje, siç thotë Ismail Kadare, ishte pikërisht Fan Noli ky “kalorës i vrerosur” që ia siguroi gjuhës shqipe disa nga krenajat e letërsisë botërore. Megjithëse jetëshkrimi i tyre politik ka qenë tjetër.
Megjithatë, as sot as në Partinë Socialiste nuk shihet në horizont ndonjë politikan që në të ardhmen do mund të dallohej më këto tipare. Shumica e atyre që vegjetojnë nën hijeroren e Edit u përngjasojnë “mumieve” burokratike dhe të pushtuara nga sensi i mediokritetit të mbijetesës ditore. Prandaj shtrohet pyetja a është fenomeni Edi i veçantë? Apo ishte klima në Partinë Socialiste unike në kohën kur Edi u katapultua në politikën shqiptare që e mundësoi këtë lloj të performancës në jetën publike shqiptare?
Nuk ka dyshim se suksesi i tij mbetet pjesë e pandashme e vullnetit të tij ngulmonjës për t’u ngritur në lartësitë e Olimpit politik. Dhe po ashtu nuk mund të mohohet fakti se në këtë rrugëtim ai kaloi nëpërmjet asaj që e ka quajtur edhe vetë “atëvrasje politike”. E kjo arritje nuk mund të imagjinohet pa aftësinë e tij për t’u revoltuar kundër etërve themelues të këtij formacioni. Fenomen ky i papërsëritshëm në kulturën tonë politike.
Sidoqoftë, nuk mund të mohohet as fakti se mbase ka qenë edhe modeli që inauguroi kjo parti në krye me Fatos Nanon që i hapën portat e partisë për llojin e politikanëve sikur Edi. E që nga ajo kohë kjo parti ka mbetur e vetmja që e ka toleruar dhe stimuluar këtë frymë të aksionit politik. Kurse mjerisht një model i tillë mungon edhe sot.
Ne nuk mund ta dimë se cila do ishte karriera politike e Edi Ramës pa ftesën tunduese që ish-lideri i të majtës i bëri atij. Mbase kryetari aktual i PS-së do ishte në ndonjë parti tjetër, do ta kishte krijuar një formacion tjetër politik nga forcat vetanake, apo do ta vazhdonte jetën prej një artisti të vetmuar e duke na dhuruar libra tjerë estetik të përkthyer sikur ajo e Kandinskit?
Këtyre dilemave nuk mund t’u përgjigjemi me siguri asnjëherë. Sepse këto vramendje i karakterizon një “enigmë sfinksi”. Por ajo që dihet deri më tani është se nga Partia Socialiste e Fatos Nanos ka dalë një Edi, kurse nga kjo e Edi Ramës ende nuk vërehet një i tillë.