Nga Skënder Minxhozi/ Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit i ngjan secilit prej raporteve të prodhuara nga ndërkombëtarët për proceset zgjedhore në Shqipëri në 30 vitet e fundit. Asgjë e re nën qiellin shqiptar, po ato vërejtje, po ato konkluzione. Fituesi lejohet të ushtrojë pushtetin e fituar, njëra palë bën lista ministrash, pala tjetër shullehet në plazh.

Edhe sjellja e Lulzim Bashës ndaj raportit në fjalë nuk përbën lajm. Megjithëse Basha është tashmë kryetar i rikonfirmuar i partisë, fabula e zgjedheve vijon t’i djegë edhe tre muaj pas votimeve. Jo si hall i opozitës që mbeti edhe katër vjet në kafene, por si diçiturë justifikimi për paaftësinë e tij si politikan, për të nisur dhe bitisur një fushatë elektorale pa humbje.

Basha u mor gjatë këto 24 orë me pjesën gri të raportit, duke u kapur pas kritikave të pritshme të vëzhguesve, e duke ua servirur demokratëve si valium për nervat e dobësuara.

Pak rëndësi ka për kryetarin e opozitës se po ata të huaj që shkruan raportin e kanë ndarë tashnë edhe zyrtarisht çështjen e fitimtarit dhe të humbësit në zgjedhjete 25 prillit. Pak rëndësi ka që edhe vetë opozita ka pranuar se nuk do ta bojkotojë parlamentin e ri. Që të dyja këto, rrethana që në fakt nuk u përkasin zgjedhjeve të vjedhura, por atyre normale.

Halli i Bashës është t’i gjejë një diçiturë në anglisht humbjes së tij të katërt elektorale rresht, e jo t’i ofrojë partisë që drejton një justufikim bindës për arsyet që çuan në humbjen e prillit.

Por halli i Bashës nuk ka përkuar shpesh me hallin e PD në keto tetë vjet. Sepse fjala vjen, kur Basha pyetet çfarë do të ndodhë me mandatin e Berishës në shtator, një hall i madh amerikan ky për partinë e dhjetorit ’90, kreu i partisë thotë se ska asgjë për të deklaruar. Krejt e pritshme, krejt normale: Lulzim Basha vijon në hallin e tij zgjedhor. As i duhet fare çfarë gropash krijohen rrugës për opozitën e lodhur që i bën ‘like’ në rrjetin social edhe atyre që marrin nëpër gojë ‘vilat e zotit Basha’!