Nga Jakin Marena
Sali Berisha nuk zhgënjeu askënd teksa u dha fund të gjitha dilemave nëse do të marrë apo jo mandatin e deputetit të fituar në listën e PD të qarkut të Tiranës. Ndonëse në mënyrë direkte dhe indirekte iu bë thirrje që për hir të stabilitetit në PD, dhe të lënies së Lulzim Bashës të lirë për të qeverisur për herë të parë pas 8 vitesh këtë parti, të hiqte dorë nga mandati i deputetit pas shpalljes “non grata” nga SHBA familjarisht, Sali Berisha qëndroi fort në betimin e tij. Jo vetëm që mori mandatin, KQZ e certifikoi atë duke e shpallur deputet në listën prej 140 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, por dhe rideklaroi se do të punojë dyfish me këtë mandat.
Duke paralajmëruar se do të jetë më se i vendosur jo vetëm për të rikthyer “nderin” e marrë nga ana e Sekretarit Amerikan të Shtetit Blinken, i pretenduar si rezultat i “një konspiracioni të madh të Edi Ramës me Xhorxh Sorosin”, por do të luftojë fort kundër kesaj të “keqeje”. S’arriti as standardin e Tom Doshit që për shumë më pak akuza, teksa u shpall nga SHBA “non grata” hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe do të jetë jashtë Kuvendit në këtë legjislaturë të re!
Dhe padinë ndaj SHBA në Paris Berisha ka nisur ta përmendë gjithnjë e më pak, duke treguar se është një mjet kalimtar për të bërë “viktimën” madhore të DASH në PD dhe Shqipëri, thjeshtë dhe vetëm për të tejkaluar goditjen e madhe që “shokoi” demokratët pas vendimit të qeverisë amerikane që familja Berisha të mos e kalonte kufirin e SHBA.
Madje ka “varur” mbi kokën e Lulzim Bashës dhe kërcënimin se “nuk përjashton mundësinë e rikthimit në krye të PD”, duke ia bërë shumë të lëvizshme karrigen e kryetarit, por dhe tepër delikate këmbët e kësaj karrigeje, aq sa dhe me një fishkëllimë e largon nga lidershipi i partisë. As mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë dhe as veçimi që kryeministri Edi Rama i kanë bërë në raport me Sali Berishën dhe Ilir Metën, nuk e kanë “trimëruar” Lulzim Bashën deri në atë shkallë sa të shpallë “mëvetësinë” nga “mentori” i tij politik dhe të mendojë njëherë me kokën e tij për të bërë politikë dhe për të pretenduar rikthimin e të djathtës në pushtet.
Me sa duket as sinjali që Bashës i dha Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjet Europiane e euroaziatike, Philip Reeker gjatë takimit të së mërkurës për t’u distancuar nga Sali Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA nuk do bëjë punë. Nuk do të aktivizojë asnjë “nerv” të Bashës në këtë drejtim, ia kanë “vdekur” me kohë e vakt nervat anti-Berishë! Ambasada amerikane e tha qartë dhe saktë në përmbledhjen e takimeve të Reeker në Tiranë qëndrimin për shpalljen “non grata” të Berishës, përmes nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit që aplikohet për personat e “krimbur” në korrupsion”.
“Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker vizitoi sot Tiranën. Gjatë vizitës, ai u takua me Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqës të tjerë. Përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë. Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, nënvizon ambasada amerikane, në njoftimin përmbledhës për mesazhet e Reeker në takimet me Ramën dhe Bashën.
Pra mesazhi ka qënë i qartë dhe për Bashën, që të distancohet nga Sali Berisha. Që mund të shkojë nga arritja e një marrëveshjeje me të për të hequr dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit e deri tek përjashtimi i grupit parlamentar të PD për të mos e pasur “barrë”.
Por të gjithë ata që kanë menduar se Basha, me këtë mbështetje ndërkombëtare, duke filluar nga mesi i korrikut kur të mbajë Kuvendin Kombëtar për zgjedhjen e forumeve drejtuese të partisë, e deri në shtator-tetor të këtij viti, do të ketë një distancim gradual nga Berisha, duhet të presin derisa ish kryeministri demokrat të “thirret” nga Zoti në amëshim. Pasi sa të jetë gjallë, ai do të jetë drejtuesi real i PD. Këtë po e tregon çdo ditë vetë Lulzim Basha, i cili pas përbetimit se nuk është si Rama që vret “babain” e tij politik, shprehet do ta trajtojë atë si vlerë, si lider historik por që nuk shkulet nga drejtimi i PD. Kjo përforcohet dhe nga deputetë të zgjedhur të Bashës, njerëz që kanë kapur tashmë lidershipin e opozitës, të cilët nuk fshihen aspak teksa deklarojnë se “Sali Berisha i vetëm bën politikë sa gjithë PD e opozita sëbashku”. Pra duke përfshirë dhe Lulzim Bashën brenda!
Madje dhe Ervin Salianji, një ndër “delfinët” e Bashës, vetëm një ditë pas vizitës së Reeker në Tiranë dhe takimeve me kreun e opozitës, pyetjes nëse PD do të mbajë të njëjtin standard siç ka vepruar në rastet kur SHBA ka shpallur persona “non grata” ish-kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe deputetin, Tom Doshi, tha se për rastin e Dakos dhe Doshit janë paraqitur prova dhe ndaj janë kërkuar prova dhe për Berishën. “Siç edhe kemi dëgjuar nga qëndrimi publik i ambasadores ka pasur të dhëna konkrete të çuar në prokurori për rastet në fjalë. Të njëjtin standard kemi kërkuar ashtu siç ka kërkuar edhe vete ish-kryeministri, ka kërkuar prova, ashtu siç me të drejtë një parti politike që përfaqëson gati gjysmën e shqiptarëve, ka kërkuar prova”, u shpreh Salianji.
Një deklaratë që tregon dhe qëndrimin e PD se s’ka ndërmend të lëshojë Berishën, pavarësisht presionit të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Madje në PD flitet me argumentet e vetë Berishës!
Për më tepër kjo tregon se ish kryeministri dhe lideri historik i kësaj partie, do të vijojë të jetë një frymëzim për të ardhmen e liderit zyrtar Lulzim Basha, në “betejat” e tij kundër Edi Ramës për të rikthyer të djathtën në pushtet. Teksa deklaroi pas rizgjedhjes kryetar i PD se tani fillon ‘beteja’ kundër Ramës për rikthimin e votës së lirë dhe normalitetit në këtë vend, pasi u relaksua disa ditë në shtëpinë e tij në Holandë deklaroi në Bruksel se do të ngrinte demokracinë e lëshuar për tokë nga Rama, kreu demokrat Basha, pritet që nga vjeshta të përsërisë të njejtin “film” të parë pas çdo humbjeje të thellë përballë mazhorancës aktuale.
Madje të gjitha reagimet e tij pritet të vijnë si gjithnjë pasi të jetë shprehur Sali Berisha në rrjetin social, herë përmes qytetarit dixhital e herë përmes një qëndrimi të drejtëpërdrejtë. Kështu ka bërë gjithnjë dhe në këtë mënyrë do veprohet sërish, Basha s’ka fuqi të kundërshtojë Berishën. Jo më të vrasë “babain” politik, larg qoftë. Kjo duket dhe në përzgjedhjen e njerëzve të cilët po qëndrojnë afër Bashës këto kohë. Kështu, në mungesë të liderit të PD, pritjet në selinë buzë Lanës bëhen nga ish kreu i bashkisë së Kamzës, njëherësh deputet i zgjedhur në qarkun Dibër, Xhelal Mziu.
Pavarësisht deklaratave kërcënuese ndaj mazhorancës dhe përbetimit për mbështetje ndaj Bashës, askush të mos mendojë se Xhelali i ka bërë vend në ‘zemër’ liderit zyrtar të PD për të zhvendosur Sali Berishën. Ai ka qënë dhe mbetet një ithtar e kamikaz i ish kryeministrit, dhe një lëvizje koke e tij e bën Xhelal Mziun jo të kapë daullen por dhe ‘pushkën’ kundër Bashës!
Po kështu dhe figura të tjera të PD, të dorëhequra ose jo, janë ata që ia kanë bërë të qartë Lulzim Bashës se me një thirrje të Berishës, janë gati ta bllokojnë dhe derën e hyrjes së selisë për të. Berisha nuk lëviz në mentalitet, nëse e tregoi në vitin 1995 me kryetarin e atëhershëm të PD Eduart Selami, të cilin jo vetëm që nuk e la të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të zhvilluar në “Fahrije Hoti” ku po vendosej për shkarkimin e tij, por dhe e dhunuan, e tregon dhe tani. Janë dhe sot të njejtët njerëz rreth Berishës, të cilët mund ta ripërsërisin këtë “spektakël” nëse Basha mendon se është vërtetë kryetar i PD.
Janë njerëz të cilët Berisha i mori nga hiçi dhe u dha pushtet e para, kanë biznese të ngritura paralel me postet që kanë marrë, janë persona që kanë bërë dhe ndonjë zarar të rëndë me naftën virxhin apo mjete të tjera rrethanore pasurimi, deri dhe tek heroina që vjen nga Turqia siç ka akuza, apo zhdukur njerëz dhe rivalë në biznes! E ndjejnë veten borxhli ndaj Berishës për këto ndere dhe çfarë nuk bëjnë për të, dhe sot e kësaj dite. Ndryshe nga Lulzim Basha që nuk ka bërë asnjë “nder” në tërë jetën e tij në pushtet dhe në krye të PD në opozitë. Kuptohet në “shpërblesën” me lekët e shtetit! Vetëm ka punuar për familjen e tij, Kunatin, i cili nuk e ka fuqinë që të krijojë “skalione” për ta mbrojtur.
Ndaj Basha bën “çunin e mirë”, të dëgjueshëm ndaj “babait” politik, sikurse e nënvizon rast e pa rast dhe kryeministri Edi Rama. I cili e përdor për interes të tij, për të treguar se në PD urdhëron Berisha, dhe deri atëherë Basha dhe sikur të ketë vullnet pozitiv për t’i bërë gjërat siç duhet, nuk lejohet. Por dhe Berisha është në rregull me Bashën që respekton “babain” politik, të cilit i imponohet me të gjitha mënyrat. Jo vetëm tani por dhe në të ardhmen, sa të ketë frymë. Ndaj e mbështet për të qënë kreu i PD, me gjithë humbjet e shumta që ka koleksionuar përballë mazhorancës aktuale. Pse të veprojë ndryshe Berisha, tashmë që dhe në përballjen me SHBA për të rikthyer në vend ‘nderin’ e humbur pas shpalljes “non grata” nga DASH i duhet PD si mburojë politike, mandati i deputetit si “kartabiankë” për ta pasur përballë akuzave.
Basha i plotëson të gjitha, madje frymëzohet nga mentori i tij politik për të zhvilluar “betejën” e radhës kundër Ramës! Ndonëse penalizohet PD dhe opozita për të ardhur në pushtet. Por më rëndësi kanë marrëdhëniet “baba”-bir” politik në PD! Prandaj “Ka baba çun”!