Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare do të dhurojnë të paktën 200 milionë doza vaksinash antiCOVID-19 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në fund të vitit, njoftoi Komisioni Europian. Vaksinat do të dërgohen kryesisht përmes iniciativës COVAX të OBSH-së, sipas një njoftimi për shtyp.
Kjo në mënyrë efektive dyfishon premtimet e bllokut: presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen njoftoi në maj se BE-ja do të dërgojë të paktën 100 milionë doza deri në dhjetor. “Vaksinimi është thelbësor, prandaj është thelbësore të sigurohet aksesi në vaksinat antiCOVID-19 në të gjithë botën”, tha von der Leyen në një njoftim për shtyp.
Megjithatë, muajin e kaluar, vendet e G7-s (Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania dhe SHBA-ja), u zotuan të dhuronin më shumë se dy miliardë doza. Deri më tani, sipas njoftimit për shtyp, 122 milionë doza janë dërguar përmes COVAX në 136 vende. OBSH ka vlerësuar se nevojiten 11 miliardë doza vaksinash për të zhdukur pandeminë.