Koronavirusi ka rritur sërish totalin e të infektuarve në javën e fundit. Rritja e rasteve të reja ditore dhe numri i pakët i personave të shëruar e ka çuar sërish rreth 100 numrin aktual të personave të prekur nga Covid-19. Dibra dhe Berati janë dy qarqet që nuk kanë asnjë të infektuar aktiv në territorin e tyre ndaj dhe konsiderohen “Covid free”. Kryeqyteti ka pësuar rritje të rasteve të reja përgjatë javës së fundit, duke kaluar dhe në krye të listës për numrin më të madh të të infektuarve.
Aktualisht në Tiranë janë 40 persona të infektuar me Covid, prej të cilëve 2 po marrin mjekim në spitalin Covid 1. 10 ditë më parë kryeqyteti kishte vetëm 23 të infektuar, ndërsa totali i rasteve aktive ishte 52 në të gjithë vendin. Ky ka qenë dhe numri më i ulët i rasteve aktive me Covid i regjistruar që prej 16 Marsit të vitit 2020. Aktualisht Covid-19 është i pranishëm me raste të konfirmuara në 10 qarqe të vendit, ndaj edhe ekspertët apelojnë për të mos neglizhuar masat mbrojtëse si dhe vaksinimin për të gjitha kategoritë e riskut.