6 mijë fëmijë të lindur jashtë vendit në gjysmën e parë të vitit, të regjistruar në vendin amë, kanë përfituar bonusin e bebes, njësoj si çdo fëmijë i lindur në Shqipëri, falë programit universal për mbështetjen e çdo të porsalinduri. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Me programin universal, qeveria ka mbështetur familjet me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë, pavarësisht se ku kanë zgjedhur t’i sjellin në jetë fëmijët, në Shqipëri apo jashtë vendit, duke i regjistruar në vendin amë. Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomike.