Carrie dhe Boris Jonson janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë gruaja e kryeministrit të Britanisë përmes një postimi në rrjete sociale. Ajo shkruan se ndjehet e bekuar që është sërish shtatzënë, duke qenë se pak muaj më parë përjetoi një abort që i theu zemrën.
Në një postim në Instagram, zonja Johnson shkruan:
“Në fillim të vitit përjetova një abort që më theu zemrën. Ndjehem me shumë fat që jam sërish shtatzënë, por gjithashtu jam ndjerë si një çantë e mbushur me nerva. Çështjet e fertilitetit mund të jenë tepër të vështira për shumë njerëz, veçanërisht kur në platforma si Instagrami çdo gjë duket sikur po shkon më së miri. U ndjeva pak më mirë kur dëgjova nga njerëz që kanë përjetuar humbje njësoj si unë, kështu që shpresoj që në një mënyrë ndarja e kësaj historie mund të ndihmoj edhe të tjerët”.
Ndërkohë në prill të 2020-s, ajo solli në jetë fëmijën e parë të saj dhe të Boris, një djalë që e pagëzuan me emrin Wilfred. Kujtojmë se Carrie dhe Boris Johnson kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni të vogël martesore në katedralen Westminster në muajin maj. Johnson ishte dhe kryeministri i parë që u martua gjatë kohës që ishte në detyrë.
Kjo ishte martesa e tretë për Boris Johnson, sepse më parë ai ka qenë i martuar me Marina Wheeler dhe Allegra Mostyn-Owen. Nga martesa me gruan e dytë ai ka katër fëmijë.