Një përparim është i mundur në lidhje me procesin e zgjerimit me Shkupin dhe Tiranën në tetor, nëse shtetet anëtare arrijnë në një marrëveshje, tha sot kryeministri slloven Janez Janša në një konferencë për shtyp pas fjalës së mbajtur në Parlamentin Europian në Strasburg. Sipas Sllovenisë, zgjerimi me Bashkimin Europian duhet të jetë një përparësi.

“Bashkimi Europian është një ide e mrekullueshme dhe duam vërtet që Bllokut t’i bashkohen edhe vendet e tjera”, tha Janša.

“BE po bën hapa gjigantë përpara… nëse e vendosim në rendin e ditës procesin e zgjerimit, atëherë do të jemi në gjendje të bëjmë hapa konkretë përpara. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë mund të ecim përpara në samitin e rradhës në tetor, nëse përqendrohemi në këtë çështje”, shtoi ai.

Kryeministri slloven theksoi se nuk arrin ta kuptojë arsyetimin në debatet që janë kundër zgjerimit, duke këmbëngulur se një diskutim për zgjerimin është mjaft i nevojshëm. Ai shprehu, gjithashtu, shpresën se një debat i tillë do të bëhet një nga çështjet thelbësore në Konferencën për të Ardhmen e Europës.