Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u bëri thirrje europianëve të vaksinohen kundër Covid-19, pas përhapjes së shpejtë të variantit Delta.
“Ne jemi të shqetësuar për variantin Delta. Ne shohim që varianti i ri Delta është shumë më i transmetueshëm se të tjerët dhe ne po shohim që normat e infeksionit po rriten”, deklaroi Von der Leyen gjatë një vizite në Lituani.
”Lajmi i mirë është se vaksinat ekzistuese antiCovid-19 janë efektive kundër variantit më ngjitës Delta. Ashpërsia e infeksionit mund të zvogëlohet përmes vaksinimit dhe masave higjienike”, sipas presidentes Von der Leyen.
“Unë vetëm mund t’i nxis të gjithë ata që nuk e kanë shfrytëzuar rastin të vaksinohen, ta bëjnë këtë. Është për të mbrojtur veten”, tha von der Leyen në Vilnius.
I ashtuquajturi variant Delta i koronavirusit u zbulua për herë të parë në Indi.
Ndërkohë, ai po përhapet jashtëzakonisht shpejt në shumë vende.