Hakan Calhanoglu ka treguar sesi ishte bindur për ta braktisur Milanin për rivalin e tij të moçëm, Inter. Mesfushori turk ka këmbëngulur se i vetmi që e donte atë në Milan ishte trajneri Stefano Pioli.

Ai i ishte bashkuar kuqezinjve për 23 milionë euro nga Bayer Leverkuseni më 2017 dhe dukej se ishte buzë vazhdimit të marrëveshjes kur u largua si lojtar i lirë për t’iu bashkuar rivalit të qytetit, raporton Gazeta Express.

Calhanoglu thotë se e kupton zemërimin e tifozëve të Milanit por këmbëngul se nuk do të jetë i fundit që i bashkohet ekipit rival.

“Është normale që tifozët janë të zemëruar, por unë nuk jam i pari dhe nuk do të jem i fundit që e bëj këtë, sepse shumë lojtarë kanë shkuar nga Milani në Inter, dhe anasjelltas”, tha Calhanoglu për DAZN.

“Unë doja ta shikoja të ardhmen time, me gjithë respektin për Milanin. Unë kam bërë shumë për Milanin gjatë katër viteve. I respektoj të gjithë por e kam një kapitull të ri në Inter tani”, shtoi ai.

Ai ka zbuluar: “Pioli ishte i vetmi që më donte në Milan vërtet. Fola më të shumë herë, por ai e respektoi vendimin tim dhe më uroi fat. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, mora shumë telefonata nga Piero Ausilio (drejtori sportiv i Interit) dhe trajneri Simone Inzaghi. Nëse njerëzit e dëshmojnë se të duan në ekip, atëherë të bindin t’iu bashkohesh”.