Alketa Berzani, ish-drejtore e Institutit Kërkimor ‘Data Centrum’ thotë se shqiptarët dhe grekët kanë mendime të ndryshme për njëri-tjetrin sipas një studimi të fundit.
Duke iu referuar një pyetësori me 1200 të intervistuar në Shqipëri dhe po aq në Greqi, znj. Berzani tha se Greqia vlerësohet nga shqiptarët në aspektin e shtetit që ka më të përparim në demokraci dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Ndërsa në këtë aspekt, qytetarët grekë e vlerësojnë Shqipërinë si të fundit në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Por ndryshe paraqitet panorama e vlerësimit që grekët kanë për popullin shqiptar pasi znj. Berzani shprehet se 48% e grekëve janë që mendojnë pozitivisht për popullin dhe individin shqiptar.
“Grekët i përkufizojnë shqiptarët si shumë punëtorë dhe familjarë, por deri diku më pak të sjellshëm dhe të ndershëm”, shprehet ajo.
Kur vjen puna tek pengesat që ekzistojnë mes dy vendeve për një marrëdhënie më të ngushtë, shqiptarët dhe grekët shprehin mendime të ndryshme.
“Marrëdhëniet dypalëshe vlerësohen si të përmirësuara, por secila palë ka perceptime individuale për çështjet që e pengojnë miqësinë e mëtejshme. Për shqiptarët janë kufiri detar dhe çështja çame dhe ekzistenca e ligjit të luftës. Kurse në prizmin e qytetarëve grekë këto çështje marrin 1 deri në 3% rëndësi. Nga ana tjetër për grekët vlerësohen ekspansionizmi shqiptar (Shqipëria e Madhe), çështja e minoritet grek dhe ndryshimi kulturor”, përfundoi znj. Berzani.