Ronaldinho ishte protagonisti i madh i “El Clasico” së legjendave, ndeshje e luajtur mbrëmë në Tel Aviv mes ish-yjeve të Barcelonës dhe Real Madridit. Veç kilogramëve të shtuar, braziliani nuk kishte humbur thuajse asgjë nga magjia e dikurshme, kur vallëzonte me topin në fushat e blerta. Kontrolle topi, driblime dhe pasime magjike ishin disa nga aftësitë e ruajtura me moshën nga Ronaldinho.
Në një moment, ish-ylli brazilian u përpoq të befasonte Codina me një goditje nga larg, thuajse nga mesi i fushës, por topi përfundoi shumë pak larg kuadratit të Real Madridit. Një spektakël i vërtetë, i pamundur për futbollistët aktivë. Ai madje kishte kohë për të “dribluar” edhe një reporter në pushimin për të pirë ujë, pak para se të kthehej në fushë për të shënuar nga pika e bardhë e penalties (1-0). Në pjesën e dytë vazhdoi të evidentonte detaje të shkëlqyera nga klasi i tij, madje bëri edhe “selfie” me dy fëmijë që u futën në fushë në mes të lojës.