Rastet e COVID-19 kanë rifilluar të rriten javën e kaluar në Europë pas 10 javëve radhazi rënie, njoftoi sot dega europiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duke paralajmëruar kundër rrezikut për një valë tjetër.
“Do të ketë një valë tjetër në rajonin europian, përveç rastit nëse ne qendrojmë të disiplinuar”, konfirmoi drejtori i OBSH Europë, Hans Kluge në një konferencë shtypi.
Sipas organizatës së OKB-së, javën e kaluar, numri i rasteve është rritur me 10% në rajonin e Europës, që numëron 53 territore për shkak të rritjes së përqafimeve, udhëtimeve, grumbullimeve dhe lehtësimit të kufizimeve sociale.
“Ky zhvillim vjen në sfondin e një situate në zhvillim të shpejtë, të një varianti të ri shqetësues, variantit Delta dhe në një rajon ku, megjithë përpjekjet e konsiderueshme nga shtetet anëtare, miliona persona vazhdojnë të jenë të pavaksinuar”, paralajmëroi Hans Kluge.
Varianti Delta i koronavirusit, i cili është veçanërisht ngjitës, do të përbëjë 90% të rasteve të reja të COVID-19 në Bashkimin Europian deri në fund të gushtit, vlerësoi javën e kaluar Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).