Nevoja për ngritjen në nivele të tjera të besueshmërisë së publikut te Policia e Shtetit, ishte një nga porositë që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u dha drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit.
Në takimin e parë të zhvilluar me ta ai u kërkoi të justifikojnë besimin e dhënë, duke rritur parametrat e rendit, për më shumë siguri publike dhe duke luftuar çdo paligjshmëri.
“Duhet punuar fort përmes përgjigjes e reagimit në kohë ndaj çdo denoncimi të qytetarëve”, tha Çuçi.
Një tjetër çështje e rëndësishme në takim ishte edhe lufta antikanabis, si edhe mirëmenaxhimi i masave, për të garantuar një sezon të sigurt veror.
Ministri kërkoi nga drejtuesit e Policisë të intensifikojnë luftën kundër krimit të organizuar, i cili mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme.