Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), përmes një deklarate për mediat, ka bërë me dije se gjendja shëndetësore e xhudistit kuqezi Indrit Çullhaj është e mirë, pavarësisht dëmtimit që pësoi në tapet, në duelin e parë olimpik ndaj rivalit nga Kosta Rika, Ian Sancho Chinchilla (u mund dhe eliminua).

Ai mori ndihmën e parë nga stafi mjekësor në pallatin e sportit ku u zhvillua sfida dhe më pas, për arsye sigurie, u transportua në spitalin qendror të Tokio. Ai është asistuar edhe nga stafi mjekësor shqiptar si dhe ambasadori shqiptar në Tokio, z.Gjergj Teneqexhiu.

Mësohert se Çullhaj ka kryer edhe një skaner për të mësuar shkallën e dëmtimit si dhe disa grafi. “Analizat konfirmuan një shkëputje të kartilagjit të brinjës së shtatë, në anën e djathtë, që shpesh konsiderohet dëmtim stërvitor, që vetshërohet pas një muaji qetësi. Pas analizave, sportisti shqiptar është rikthyer në Fshatin Olimpik”, thuhet në deklaratën e KOKSH.