Presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci.

Për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe sot do të udhëtojë për në Kosovë, thuhet në komunikatën për media.

10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar të dielën në një aksident të një autobusi i cili po vinte nga Gjermania në Kosovë.

Dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin u ndezën mbrëmë pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrat Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Artane Rizvanolli, Faton Peci, Krasniqi, deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve ndezën qirinjtë.Qirinj ndezën edhe dhjetëra qytetarë të tjerë të cilët iu përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës për homazhe për bashkatdhetarët që humbën jetën mëngjesin e së dielës.