Aeroporti i Sarandës pritet të ketë një impakt të madh në rritjen e turizmit dhe zhvillimin ekonomik. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj thotë se Aeroporti i Sarandës është një premtim i mbajtur për një vepër të rëndësishme që do të bëhet realitet shumë shpejt.
“Hapja e garës për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, konfirmon angazhimin e qeverisë drejt vizionit “Shqipëria 2030”. Ky aeroport dhe investimet e tjera të rëndësishme që po zbatohen do të sjellin një zhvillim më të madh për ekonominë dhe ndërlidhjen më të shpejt të Jugut me Veriun e vendit”, deklaroi ajo.
Pas hapjes së aeroportit të Kukësit dhe firmosjes së kontratës për atë të Vlorës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi dje garën për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Sarandës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se aeroporti do të jetë i kategorisë 3C me një pistë 2.2 km të gjatë dhe se në vitin e parë të operimit numri i pasagjerëve që do të udhëtojnë përmes këtij aeroporti llogaritet në 150 mijë.
Pritet që ky numër të konsolidohet duke arritur një numër maksimal 1 milion pasagjerë në vit. Aeroporti i Sarandës do të jetë sezonal.